Njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja, reagon Gërvalla

Pas njoftimit nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi se Spanja e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se kjo njohje ka ndodhur nga 1 janari.

“Qytetarët e Kosovës tani mund të udhëtojnë në Spanjë. Bazuar në njoftimet nga shtetet anëtare të BE-së deri më 5 janar 2024, Mbretëria e Spanjës i njeh pasaportat e zakonshme të Republikës së Kosovës që nga 1 janari, 2024” – ka shkruar ministrja Gërvalla, në platformën X.

Tutje, ministrja Gërvalla e ka shprehur falenderimin e saj ndaj Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës në gjuhën spanjolle.

“Falemnderit Spanjë! Mirë se vini në Kosovë!” – ka uruar ajo.

Qytetarët kosovarë nga data 1 janar kanë filluar të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

Vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill të vitit 2023, nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.

Bislimi: Edhe Spanja e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës