Një vit nga pushtimi rus të Ukrainës, Zelenskiy: viti 2023 do të jetë vit i fitores

Sot, 24 shkurt 2023, janë bërë saktësisht një vit që kur Rusia ndërhyri ushtarakisht në territorin e Ukrainës për ta pushtuar këtë vend. Përkundër shumë vlerësimeve të inteligjencës përendimore që parashikonin një fitore të shpejtë ruse, Ukraina dëshmoi pikërisht të kundërtën. Forcat ukrainase ndaluan një sulm në kryeqytetin e saj, Kiev, dhe e detyruan Rusinë ta ndryshojë fokusin e saj në pjesën lindore të vendit.

Tani, një vit më pas, të dyja palët janë zhytur në betejë në pjesë të lindjes dhe jugut, me aleatët perëndimorë të Ukrainës që investojnë miliarda dollarë në ndihmë ushtarake – duke përfshirë armatimin e sofistikuar – për ta mbështetur Kievin, ndërkohë që Rusia ka grumbulluar burime dhe trupa në vijat e frontit.

Një vit pas luftës, ka shenja se luftimet mund të zvarriten për shumë më gjatë. Rusia nuk është lëkundur nga qëllimi i saj për ta futur nën kontrollin e saj Ukrainën lindore, ndërkohë që Kievi ka refuzuar çdo zgjidhje që do të lejonte që territoret e saj të pushtuara gjatë luftës të mbeten nën pushtimin rus.

Lufta ka marrë një numër të madh të jetëve të humbura, shtëpive të shkatërruara dhe banorëve të larguar. Miliona ukrainas janë larguar nga vendi i tyre, duke rezultuar në eksodin më të madh të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërkohë që Ukraina dhe Rusia i kanë ruajtur nga afër shifrat e viktimave, vlerësimet thonë se numri i ushtarëve të vdekur dhe të plagosur nga të dyja vendet është në dhjetëra mijëra, me dhjetëra mijëra civilë të tjerë të vrarë në Ukrainë.

Lufta ka shkatërruar ekonominë e Ukrainës, ka shkaktuar një rënie ekonomike në Rusi dhe ka pasur efekte të valëzuara në ekonominë botërore, duke përfshirë kontributin në një rritje globale të kostove të ushqimit dhe energjisë. Tregjet evropiane të energjisë janë ndryshuar rrënjësisht nga lufta, me një pjesë të madhe të Evropës që po largohet nga importet ruse të qymyrit, naftës dhe gazit.

Në njëvjetorin e pushtimit rus, duke folur në një video-fjalim në orët e hershme të ditës së sotshme (e premtë), presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se situata ushtarake në jug të Ukrainës është “mjaft e rrezikshme” në disa vende, ndërkohë që kushtet në lindje janë “shumë të vështira”. Tutje presidenti ukrainas ka shtuar se forcat pro-Moskës e kanë bombarduar sërish qytetin jugor Kherson, këtë herë duke ndërprerë ngrohjen për 40,000 njerëz.

Në një postim në Telegram, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se “Më 24 shkurt, miliona prej nesh bënë një zgjedhje. Jo një flamur i bardhë, por një flamur blu dhe i verdhë. Jo duke ikur, por duke u përballur. Përballë armikut. Rezistencë dhe luftë.

“Ishte një vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe bashkimi. Dhe ky është një vit i pathyeshmërisë sonë. Ne e dimë se ky do të jetë viti i fitores sonë!”.

Ukraina po përgatitet për sulme të reja të mundshme ruse në qytetet kryesore mes frikës se presidenti rus, Vladimir Putin, synon ta shënojë përvjetorin e psuhtimit me një seri sulmesh. Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat ruse i kanë shtuar sulmet përgjatë vijës së frontit lindor dhe forcat e saj kanë zmbrapsur 90 sulme në lindje dhe verilindje në 24 orët e fundit.

Disa zyrtarë amerikanë dhe perëndimorë vlerësojnë se viktimat ushtarake të Rusisë janë rreth 200,000 të vdekur ose të plagosur. Humbjet në fushëbetejë janë të pamundura për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur, por ushtarët që luftojnë në vijën e frontit dhe zyrtarët ushtarakë kanë pranuar se numri i të vdekurve është rritur në javët e fundit. Mijëra civilë janë vrarë dhe prokurorët ukrainas kanë raportuar mijëra pretendime për krime lufte.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë për t’i kërkuar Moskës tërheqjen e trupave të saj nga Ukraina. Mbrëmjen e së enjtes pati 141 vota pro dhe 32 abstenime. Kina abstenoi në votim dhe gjashtë vende iu bashkuan Rusisë për të votuar kundër – Bjellorusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Mali, Nikaragua dhe Siria.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ka parë shenja se Kina po e shqyrton furnizimin me armë për Rusinë dhe e paralajmëroi Pekinin që të mos e ndërmarrë ndonjë hap të tillë. Stoltenberg tha se ndihma e mundshme kineze do të çonte në ofrimin e “mbështetjes së drejtpërdrejtë për një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar, dhe natyrisht [si] anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina nuk duhet në asnjë mënyrë ta mbështesë shkeljen e kartës së OKB-së ose të ligjit ndërkombëtar”.

Zëvendës ambasadori i Kinës në OKB, Dai Bing, ka thënë se “faktet brutale ofrojnë prova të shumta se dërgimi i armëve nuk do të sjellë paqe”. Dai, duke folur gjatë një debati në OKB mbi një projekt-rezolutë që i kërkon Rusisë të largohet nga Ukraina, tha se “prioriteti kryesor i Pekinit është ta lehtësojë armëpushimin dhe ndërprerjen e armiqësive pa vonesë”, duke shtuar se ishte gati të “vazhdonte të luante një rol konstruktiv” në zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, hodhi poshtë me forcë pretendimin e Dait se perëndimi po i hidhte benzinë zjarrit duke e armatosur Ukrainën.

Vladimir Putin ka thënë se Rusia do ta vendosë raketën e re balistike ndërkontinentale Sarmat, me nofkën “Satan 2”, si dhe do të nxjerrë raketa hipersonike dhe nëndetëse të reja bërthamore. Në një fjalim për ta shënuar festën e “Mbrojtësit të Atdheut” të enjten, Putin tha se Rusia “do t’i kushtojë vëmendje të shtuar” rritjes së forcave të saj bërthamore në tokë, det dhe në ajër.

Spanja do t’i dërgojë Ukrainës gjashtë tanke Leopard dhe është e gatshme ta rrisë atë numër në 10 sosh nëse është e nevojshme, konfirmoi kryeministri Pedro Sánchez gjatë një vizite në Kiev të enjten. “Ne do të qëndrojmë në krah të Ukrainës derisa paqja të kthehet në Evropë”, tha ai, duke shtuar se Spanja kishte ofruar t’i trajnojë ushtarët ukrainas se si t’i përdorin tanket.

Australia do të dërgojë drone në Ukrainë dhe do t’i zgjerojë sanksionet kundër qeverisë ruse, ushtrisë dhe figurave të medias, si pjesë e një zotimi për të qëndruar me Kievin “për aq kohë sa duhet”, ka thënë qeveria australiane. Paketa përfshin ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve për 90 individë të tjerë rusë dhe 40 subjekte ruse, duke përfshirë edhe median shtetërore Sputnik.

Finlanda do të dërgojë tri tanke luftarake Leopard 2 në Ukrainë, ka thënë ministria e mbrojtjes e vendit. Njoftimi vjen pasi ministri suedez i mbrojtjes tha se ishte i hapur për të dërguar disa nga tanket e saj të betejës Leopard. Qeveria çeke ka njoftuar gjithashtu një dërgesë të mëtejshme ndihme ushtarake në Ukrainë.

Një zyrtar i ushtrisë amerikane ka thënë se mund të duhen deri në dy vjet që tanket M1 Abrams të dorëzohen në Ukrainë. SHBA njoftoi në janar se do ta furnizonte Ukrainën me 31 tanke të avancuara M1 Abrams me vlerë 400 milionë dollarë brenda disa muajsh. Mirëpo ende po hartohen planet se si dhe kur do të dorëzohen këto tanke, tha sekretarja e ushtrisë amerikane, Christine ëormuth.

Moldavia e ka hedhur poshtë një akuzë nga ministria ruse e mbrojtjes se Ukraina planifikoi ta pushtonte rajonin separatist moldav të Transdniestrisë pas organizimit të një operacioni të rremë dhe bëri thirrje për qetësi. Ministria ruse tha se Ukraina planifikoi të organizonte një sulm të supozuar nga forcat ruse nga Transnistria si një pretekst për pushtimin, raportoi media shtetërore.

Diplomatët kryesorë të BE-së nuk kanë arritur ta finalizojnë raundin e dhjetë të sanksioneve të bllokut të BE-së kundër Rusisë, i cili do ta ndalonte shitjen e teknologjive më rëndësi ushtarake. Bisedimet kuptohet se kanë ngecur për çështjen e tregtisë së gomës me Rusinë. Presidenti i SHBA, Joe Biden, do të takohet virtualisht të premten me liderët e G7 dhe Volodymyr Zelenskiy për të shpallur sanksione të reja kundër atyre që i ndihmojnë përpjekjet luftarake të Rusisë, thotë Shtëpia e Bardhë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala