Foto: Ilustrim

Një muaj paraburgim policit që rrahu të riun para dy viteve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për zyrtarin policor H.K, nën dyshimet për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri H.K. në liri mund t’i asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar edhe në dëshmitarët.

“Në këtë vepër penale janë të përfshirë edhe zyrtarë tjerë policor dhe kjo tregon rrezik se nëse i pandehuri do të gjendet në liri, mund të pengohet rrjedha e procedurës penale. I pandehuri H.K. dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare apo autoritetin”, thuhet një njoftim.

KALLXO.com ka raportuar se polici i Njësisë Speciale të Reagimit të Shpejtë H. K., është arrestuar, pasi u lirua fillimisht, me urdhër të prokurorit për veprën penale keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Polici ishte arrestuar nën dyshimin se kishte keqtrajtuar një djalë të ri para tri viteve.

Video-inçizimi i dalë nga një hetim tregonte veprimet dhe keqtrajtimin që polici i dyshuar i bënte djalit të ri i cili ishte dërguar në stacion pas një incidenti që kishte ndodhur në vitin 2018.