Një ditë para hapjes së ekspozitës "Reporting House" - LIVE

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet reportazhi që flet për transformimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në hapësirë kulturore për ekspozitën “Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve”.

Çka thotë kuratori i ekspozitës, Gazmend Ejupi, për kombinimin e arkivave të gazetarëve të luftës dhe artistëve bashkëkohorë që do të ekspozohen për 3 muajt e ardhshëm në qendër të Prishtinës?

Cilët janë artistët të cilët do të ekspozojnë veprat e tyre në “Reporting House”?

Cila është historia e automjetit i cili u soll nga Anglia për t’u ekspozuar në “Reporting House”?

Të hënën, më 10.06.2024, në ora 18:00, do të lansohet ekspozita “REPORTING HOUSE”.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit 2024.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosnjë dhe Hercegovina, Olafur Eliasson nga Islanda-Danimarka, Laura Imami nga Anglia dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinj si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli nga Kosova.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline Television News.