Foto: KALLXO.com

Një 20 vjeçare gjendet e vdekur në Gllogjan

Një trup i pajetë është gjetur sot në mëngjes në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Viktima e gjinisë femërore dyshohet të jetë e moshës rreth 20 vjeçare.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Sot në orët e mëngjesit rreth orës 06:10, policia është njoftu për një rast në fshatin Gllogjan. Policia me të arritur në vendin e ngjarjes, e ka gjet një trup të pajetë. Vdekjen e ka konstatuar edhe mjeku kujdestar i Qendrës së Mjekësisë Familjare. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet kompetente policore. Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Gashi.

Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së saj.

Ndërkaq, Prokuroria është duke e hetuar vdekjen e viktimës.

“Prokurori kujdestar i Departamentit për krime të rënda pasi që është informuar për rastin ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet relevante policore, me c’rast trupi i pajete i të ndjerës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Janë duke u ndërmarrë veprime hetimore për hetimin e vdekjes se të ndjerës”, ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Kujtojmë së edhe një rast tragjik është regjistruar në rajonin e Dukagjinit, përkatësisht në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Policia ka njoftuar se një person i gjinisë mashkullore dhe një i gjinisë femërore janë gjetur pa shenja jete në Vitomiricë dje pasdite. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri dhe dy gëzhoja plumbash.

Ndërsa, Prokuroria e Pejës po dyshon se kemi të bëjmë me një vrasje dhe një vetëvrasje.

Foto: Reporter.al