Ilustrim

2 të vdekurit në Pejë, Prokuroria po dyshon për vrasje dhe vetëvrasje

Dy persona janë gjetur të vdekur dje në Vitomiricë të Pejës.

Policia ka njoftuar se një person i gjinisë mashkullore dhe një i gjinisë femërore janë gjetur pa shenja jete në Vitomiricë dje pasdite. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri dhe dy gëzhoja plumbash.

Ndërsa, Prokuroria e Pejës po dyshon se kemi të bëjmë me një vrasje dhe një vetëvrasje.

Hetimet e para, sipas Prokurorisë, tregojnë se personi i gjinisë mashkullore e ka vrarë personin e gjinisë femërore, e më pas dyshohet se ai ka bërë vetëvrasje.

“Dyshimet e para janë që personi i gjinisë femërore, i moshës së mitur, është privuar nga jeta me armë zjarri, ndërsa i dyshuari pastaj ka kryer vetëvrasje. Këto janë vetëm dyshimet e para. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Policia ka njoftuar se lidhur me këtë rast ka ndodhur edhe një sulm ndaj zyrtarëve policorë.

Sipas Policisë, pjesëtarët e saj që kishin shkuar për ta siguruar vendin e ngjarjes janë sulmuar nga disa të dyshuar.