Nis vaksinimi i personelit shëndetësor në Prizren

Personeli shëndetësor në Prizren sot ka nisur procesin e vaksinimit kundër COVID-19.

Kjo komunë është furnizuar me 1 mijë e 270 vaksina të ‘AstraZeneca’ si ndihmë nga UNICEF në kuadër të programit COVAX.

Në njoftimin e kësaj komune thuhet se ky kontingjent i vaksinave do të jetë vetëm për mjekët dhe infermierët e Prizrenit.

“Duke njoftuar se sipas kërkesës së IKSHP-së, ky kontingjent i vaksinave është i dedikuar vetëm për stafin shëndetësor, kryetari Haskuka bëri të ditur se si shëndetësi primare, Komuna e Prizrenit ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe është e gatshme për ofrimin e vaksinave edhe për qytetarë, në bazë të kategorisë së rrezikshmërisë, pasi që vaksinat të dorëzohen nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.

Për të parë këtë proces nga afër, në Qendrën e Kujdesit të Mjekësisës Familjare në Prizren kanë qenë të pranishëm kryetari, Haskuka dhe drejtoresha e shëndetësisë Narqize Arënliu Hoxhaj.

Postimi i plotë i Komunës së Prizrenit:

Pas pranimit të 1270 vaksinave kundër Covid-19, sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ka filluar vaksinimi i stafit mjekësor të Spitalit Regjional të Prizrenit, i cili do të pasojë me stafin mjekësor të shëndetësisë primare dhe të sektorit privat.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj ishin në QKMF për të parë nga afër procesin e vaksinimit që po realizohet nga 21 mjekë dhe infermierë të shëndetësisë primare, që janë trajnuar për dhënien e këtyre vaksinave.

Duke njoftuar se sipas kërkesës së IKSHP-së, ky kontingjent i vaksinave është i dedikuar vetëm për stafin shëndetësor, kryetari Haskuka bëri të ditur se si shëndetësi primare, Komuna e Prizrenit ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe është e gatshme për ofrimin e vaksinave edhe për qytetarë, në bazë të kategorisë së rrezikshmërisë, pasi që vaksinat të dorëzohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Kryetari Haskuka, me këtë rast falënderoi gjithë stafin e QKMF-së, përkatësisht të shëndetësisë primare në Prizren për angazhimin e pandalur gjatë gjithë periudhës së pandemisë.

Gjatë ditës ka nisur vaksinimi me Astra Zeneca edhe në Gjilan dhe Vushtrri.

Kosova është furnizuar me 24 mijë vaksina të firmës, Astra Zeneca si ndihmë nga UNICEF.