Nis ndërtimi i QKMF-së në lagjen “Ilirida” në Mitrovicë

Sot kanë filluar punimet për ndërtimin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në lagjen “Ilirida” në Mitrovicë, e cila pritet të ofrojë shërbime për afro 20 mijë banorë.

Këtë e ka konfirmuar Fahri Shabani, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës Jugore në ceremoninë e cila u mbajt sot me këtë rast.

“Kryevepra e gjithë këtij zhvillimi të madh në shëndetësinë e Mitrovicës pa dyshim është ndërtimi i ndërtesës kryesore të mjekësisë familjare, e cila është një prej qendrave të mjekësisë familjare më të mëdha dhe më moderne në Kosovë. Do të ofrojë shërbime për 20 mijë banorë” – ka thënë Shabani.

Tutje ai shtoi se për realizimin e  këtij projekti janë ndarë 340 mijë euro.

143 mijë euro janë mundësuar nga Komuna e Mitrovicës, ndërsa 197 mijë euro nga organizata “Qatar Charity” nga Katari.

Ndërsa Bedri Hamza, kryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore, tha se punimet pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.

“Jemi këtu për të vendosur gurin e themelit të njërit prej objekteve  më të rëndësishme të shëndetësisë primare. Fundi i vitit të ardhshëm do të jetë koha kur do të përfundojë cikli i investimeve të përgjithshme në infrastrukturën e shëndetësisë në komunën e Mitrovicës” – ka thënë Hamza.

Edhe kryetari konfirmoi se ky është investim i përbashkët mes Komunës dhe organizatës “Qatar Charity”.

Esam Dabab, drejtor i organizatës “Qatar Charity” në Kosovë, shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin me Komunën e Mitrovicës.

“Shpresojmë se për një të ardhme të shkurtër do të ketë projekte të tjera të radhës në këtë komunë. Shpresojmë që ky projekt, qendër e mjekësisë familjare t’u shërbejë në formën më të mirë pacientëve” – përfundoi ai.