Nis gjykimi ndaj grupit prej pesë të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm

Liridon Beqiri, Besart Veselaj, Ernes Beqiri, Argjend Hoti dhe Altin Salihu janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për tu përballur me akuzat për vepra penale që lidhen me terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje.

Në seancën e së hënës (04.03.2024) u mbajt shqyrtimi fillestar kundër pesë të lartpërmendurve të akuzuar se kanë shpërndarë materiale propagandistike të organizatës terroriste ISIS.

Liridon Beqiri e ka pranuar fajin për veprat që i vihen në barrë. Për dallim prej tij, katër të akuzuarit e tjerë nuk e pranuan fajësinë.

“Më vjen keq për çka ka ndodhë, me kthy sun e kthej. Është gabim që s’mund të ia fali vetit puna e armëve, puna e fotove”… “Kjo vepër nuk përsëritet, nuk jom kon në dijeni të peshës së veprës çka mundet me ndodhë nëse fotografohna me një armë dhe vjen puna deri tek terrorizmi” – tha i akuzuari Beqiri pas pranimit të fajësisë.

Pasi që i akuzari Beqiri pranoi fajësinë dhe pranimi i tillë u aprovua nga gjykata, procedura ndaj tij u veçua.

Aktakuza për këtë rast është ngritur dhe po përfaqësohet nga prokurorja Speciale Fikrije Fejzullau, ndërsa rasti po gjykohet në Departamentin Special nga gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, janë zbuluar edhe emrat arabë të cilët i kishin përdorur të akuzuarit.

Kështu, i pandehuri Liridon Beqiri quhej “Ebu Jahja”, Besart Veselaj njihej si “Abdul Malik”, e Altin Salihi si “Ebubekir”.

Të gjithë të akuzuarit ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.

Sa i përket kësaj mase të sigurisë, mbrojtja e secilit prej të akuzuarve i propozoi gjykatës që masa e tillë të ndërpritet. Ndërkaq, gjyqtarja e rastit Valbona Musliu Selimaj bëri të ditur se për këtë çështje do të vendosë kur masa e arrestit shtëpiak të skadojë, përkatësisht më 07.03.2024.

Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuarit Besart Veselaj, avokatja Sabrije Jasharaj, propozoi që pasi i akuzuari Beqiri ka pranuar fajësinë, i njëjti të dëgjohet si dëshmitar gjatë gjykimit të katër të akuzuarve të tjerë.

Me këtë propozim nuk u pajtua as prokurorja e as mbrojtësi i të akuzuarit Beqiri. Ndërsa gjyqtarja bëri të qartë se për propozimin e tillë do të vendosë në një fazë tjetër të procedurës.

Të akuzuarit ishin arrestuar me 15.05.2023 pas një aksioni kundër terrorit nga Policia e Kosovës.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, pesë të akuzuarit kanë shpërndarë dhe mundësuar përcjelljen e mesazheve te persona të tjerë në kryerjen e veprave terroriste përmes fotografive dhe videove.

Dosja thotë se e tërë kjo ka ndodhur në Pejë dhe Istog, në vazhdimësi dhe në periudhë të panjohur kohore.

Sipas dosjes, të akuzuarit janë mbledhur në shtëpitë e të akuzuarve Besart Vesalaj dhe Liridon Beqiri në Pejë dhe Istog, ku kanë bërë foto dhe video me uniforma të luftëtarëve të organizatës terroriste ISIS dhe duke gjuajtur me armë të gjata.

Tutje, dosja thotë se të akuzuarit kanë modifikuar dhe përkthyer, e më pas kanë shpërndarë, pamje të vrasjeve masive, ekzekutimeve e torturave të njerëzve të zënë rob nga organizata terroriste ISIS.

Po ashtu, aktakuza thotë se në këto materiale përfshihen thirrje për xhihad si “festa ime është Xhihadi dhe muzika e saj janë plumbat që fluturojnë mbi kokën time”.

Tutje Liridon Beqiri dhe Besart Veselaj akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje lidhur me armë të cilat i janë gjetur gjatë kontrollit të shtëpive të tyre.

Në shtëpinë e Liridon Beqirit, sipas aktakuzës, janë gjetur një armë e gjatë e tipit AK – 47, një pistoletë, karikator me dy fishek me Ekol Special EV13, pjesë të armës së gjatë, dy thika e fishek me gaz.

Kurse tek i pandehuri Besart Veselaj, sipas aktakuzës, janë gjetur një armë pistoletë me karikatorë, dy thika si dhe prova të tjera materiale.

Seanca për matjen e dënimit për të akuzuarin Liridon Beqiri do të mbahet me datë 06.03.2024.

Shënim: Artikulli është edituar më 06.03.2024, në 14:20h. Në artikull është edituar data e seancës së radhës për këtë gjykim, që nuk ka qenë me 07.03.2024, por me 06.03.2024.