I akuzuari për krime lufte jep mbrojtjen e tij para gjykatës

Çaslav Joliq, i akuzuar për krime lufte përgjatë viteve 1998-99, ka dhënë mbrojtjen e tij në seancën e së premtes më datë 24.05.2024, në Gjykatën e Prishtinës.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Musa Konxheli, anëtarët Valbona Musliu- Selimaj dhe Mentor Bajraktari, në fillim të seancës bën të ditur se sot do të vazhdohet me provat materiale dhe mbrojtjen e të akuzuarit.

Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i tij Miodrag Brklajq, i akuzuari Çaslav Joliq rrëfeu se gjatë vitit 1998 kishte jetuar në Gurakovc, në atë kohë i akuzuari kishte punuar si bujk.

Ai u pyet nga mbrojtësi i tij nëse i kujtohej koha kur ishte rrëzuar një helikopter në Gurakovc?

“Po e kam të njohur, në Pranverë”- deklaroi i akuzuari Çaslav Joliq.

“Vendi prej shtëpisë time ka qenë 1 km larg dhe unë nuk kam qenë në atë vend për ta parë, arsyeja pse nuk kam shkuar ta shoh ka qenë sepse forcat që e siguruan atë vend nuk ju kishin dhënë leje civilëve që të afroheshin në atë vend”- shtoi tutje i akuzuari gjatë rrëfimit të tij.

Gjatë vitit 1995, 1996 gjegjësisht në fund të vitit 1995 i akuzuari kishte qenë polic rezervë pasi i kishin siguruar refugjatët nga Kroacia.

Ai gjithashtu gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i tij deklaroi se në atë kohë, Zef Malësinë si person e kishte njohur por me emër dhe mbiemër jo, ndërsa Nexhmedin Currajn e kishte njohur dhe me të njëjtit nuk kishte pasur mosmarrëveshje fizike apo konflikt verbal në kohën kur kishte rënë helikopteri.

Në pyetjen e bërë nga avokati i tij se kush është Zoran Joliq, i akuzuari rrëfeu se ai është kushëriri i tij dhe në atë kohë ai kishte punuar si polic nga vitet 1990 e më tutje.

“Vendi im i fundit si polic ka qenë deri në ditën e arrestimit, nga 2005 deri në 2022”– deklaroi i akuzuari.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e mbrojtësit të pandehurit, seanca e shqyrtimit gjyqësorë vazhdoi me marrjen në pyetje të pandehurit nga ana e prokurorit, Ilir Morina.

Prokurori special e ballafaqoi me deklaratën e mëparshme të dhënë në polici të akuzuarin gjatë cilës u kuptua se deklarata të cilën e kishte dhënë në polici nuk përputhej me disa gjëra të cilat ai i rrëfeu gjatë seancës së sotme.

“Në vitin 2005 – 2022 kam jetuar në Çaçak por kam punuar në Beograd”– deklaroi i akuzuari gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit.

Prokurori e pyeti të akuzuarin se a është e vërtetë se dëshmitari Momir Pantiq ka thënë që ju i keni kërkuar me ardh, dhe ka biseduar me ty për këtë çështje?

“Ka mundësi që kemi biseduar, ne jemi njerëz për diçka duhet me bisedu”– deklaroi i akuzuari Çaslav Joliq.

Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e prokurorit, i akuzuari u përballë edhe me disa pyetje nga të dëmtuarit, Zef Malësia dhe Nexhmedin Curraj ndërsa nga ana e trupit gjykues nuk kishte ndonjë pyetje.

Në fund të seancës gjyqësore kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Musa Konxheli bëri të ditur se më 05.06.2024 do të jepen fjalët përfundimtare ndërsa më 10.06.2024 do të shpallet aktgjykimi.

Dosja e Prokurorisë Speciale

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë, njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Sipas dosjes së Prokurorisë me të arritur tek vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviq dalin pesë persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i pa identifikuar.

Në dosje theksohet se të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M. se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes.

Pas këtyre akuzave të lartcekurit sipas Prokurorisë e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave deri sa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin më ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas dosjes së prokurorisë, më 15.03.1998, derisa i dëmtuari tjetër N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit, pastaj të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë duke ia mbuluar tërë trupin me gjak, dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion të policisë në Gurakoc.

Tutje në dosje thuhet se duke e dërguar në stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa më datën 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në linkun:

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.