Ilustrim

Nga nesër hapen çerdhet publike të Gjilanit

Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se bazuar në rekomandimet e Qeverisë dhe MAShT-it për hapjen e çerdheve, kjo komunë ka bërë gjitha përgatitjet për rihapjen e çerdheve publike nga nesër.

Sipas një njoftimi për media, drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka njoftuar se për t’u siguruar rreth përgatitjeve për rihapjen e çerdheve, kanë kërkuar vlerësim profesional higjienik e sanitar nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik dhe inspektori sanitar në nivel regjional.

“Pas vizitave të cilat janë realizuar sot në terren nga QRSHP dhe inspektori sanitar, të njejtit rekomandojnë se çerdhet e komunës sonë kanë përmbushur të gjitha rekomandimet e dala nga udhëzuesi i MASHT’it dhe janë të gatshme të mirëpresin fëmijët që nga nesër, respektivisht 04.06.2020”, ka thënë Gagica.

Qeveria në detyrë, të dielën kishte marrë vendim që të hapen çerdhet dhe institucionet parashkollore në vend.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kishte bërë të ditur se vendimi është bazuar në një udhëzim të UNICEF-it.