Foto: Radiator

Nga e hëna fillon vendosja e njehsorëve te konsumatorët e Termokosit në lagjen "Qendra"

Të hënën do të fillojë vendosja e njehsorëve matës nëpër banesat të cilat ngrohen nga “Termokosi” në lagjen “Qendra” në Prishtinë.

Komuna ka njoftuar që ekipet e autorizuara do të shkojnë derë më derë dhe nëse të njëjtit nuk janë nëpër shtëpitë e tyre të lajmërohen në mënyrë që mos të humbasin rastin për t’u pajisur me njehsorët matës.

“Më 12 shtator fillon instalimi i alokatorëve dhe valvulave moderne, në çdo banesë në Qendër, që është klient i ngrohtores Termokos. Ju lutemi të hapni dyert për ekipet e autorizuara ashtu që edhe ju të përfitoni. Nëse nuk do të jeni në shtëpi ju lutem kontaktoni në 080099000 sa më parë që mos të humbisni rastin për përftimin e pajisjeve të reja” – thuhet në njoftim. 

Ngrohtorja më e madhe në Kosovë “Termokos”, që furnizon një numër gjithnjë në rritje të konsumatorëve, në gusht ka filluar projektin e instalimit të sistemit të ri të matjes së ngrohjes dhe faturimit, të quajtur “Prishtina HeatSave”.

Me ndihmën e Fondacionit të Mileniumit të Kosovës dhe agjencionit federal amerikan MCC,  nga sezoni dimëror 2023, afër 17,000 banesa dhe lokale do të pajisen me njehsorë, valvula kontrolluese, alokatorë të ngrohjes si dhe koka termike në çdo radiator të tyre.

Instalimi zgjat 20-30 minuta dhe kjo iu mundëson qytetarëve që të marrin në duart e tyre kontrollin e nivelit të ngrohjes dhe shpenzimeve të ngrohjes. Nëse nuk i instalojnë me ndihmën e “Prishtina HeatSave”, konsumatorët do të obligohen vitet e ardhshme të paguajnë shpenzimet e pajisjeve nga xhepi i tyre.