Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Nga 600 sa ishte paraparë, Vetting-ut mund t'i nënshtrohen "35 deri në 40" zyrtarë të sistemit të drejtësisë

Lulzim Beqiri, zëvendëssekretar i Ministrisë së Drejtësisë,  tha në emisionin “Kallxo Përnime” se procesit të Vetting-ut do të nënshtrohen vetëm 35 deri në 40 zyrtarë të sistemit të drejtësisë.

Ndonëse premtimet ishin që rreth 600 zyrtarë të sistemit të drejtësisë t’i nënshtroheshin procesit, Beqiri tha se diçka e tillë nuk mund të ndodhë pas rekomandimeve që janë marrë nga Komisioni i Venecias.

Ai tha se kanë filluar që të iniciojnë procedurën për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që do të thotë diku 600 zyrtarë të sistemit të drejtësisë, por që më pas diçka e tillë dështoi.

“Pas rekomandimeve të Komusionit të Venecias jemi obliguar që këtë numër ta zvoglojmë te krerët e drejtësisë, te dy këshillat, te kryetari i Gjykatës Supreme, të Apelit, kryetarët e Gjykatave Themelore, Kryeprokurori i Shtetit. Do të thotë diku 35 deri në 40 zyrtarë” – tha Beqiri në “Kallxo Përnime”.

Ai thotë se mendojnë që Vetting-u i krerëve të drejtësisë do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në tërë sistemin.

Tutje zëvëndëssekretari tregoi nëse është mbajtur premtimi që personave të korruptuar t’u merren pronat.

Ai tha se kanë punuar në këtë drejtim në dy kahje.

“Kemi punuar në kahjen penale dhe në aspektin civil. Gjatë plotësim-ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale janë shtuar dispozita të reja lidhur me konfiskimin sepse procedura ka qenë interesante dhe jo shumë e mirë” – tha Beqiri.

Ai tha se tashmë këto dispozita përsa i përket konfiskimit penal janë më të qarta.

Sipas tij, ky faktë është njëri drejtim në të cilin ata kanë punuar.

Beqiri tregoi se Ligji për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit është zbatuar vetëm në një rast.

Tutje ai tha se ligji i ri, dispozitat i ka më të  zbatueshme dhe më konkrete pasi që nga momenti i marrjes së informacionit nga prokurori, ai shumë më lehtë e ka të fillojë procedurën e konfiskimit.

Beqiri tha se janë duke e bërë një reformë për të mos marrë më ligje të kopjuara nga vendet e tjera.