Ilustrim

Nga 28 dhjetori zbuten masat për të burgosurit në burgjet e Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se nga data 28 dhjetor e këtij muaji do të lejohen vikendet për të burgosurit si dhe vizitat familjare.

Ndalimi i shfrytëzimit të vikendeve nga të burgosurit si dhe vizitave familjare ishte bërë nga ana e Shërbimit Korrektues të Kosovës për të parandaluar përhapjen e pandemisë brenda burgjeve.

“Si masë lehtësuese, për vizitë familjare do të fillojmë me pranimin e vetëm një anëtari të familjes. Gjatë vizitës së tyre, në hyrje të institucioneve korrektuese familjarët  janë të obliguar të respektojnë masat  anticovid, (distancën sociale, vendosjen e maskës, dezinfektues)”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Tutje SHKK thotë se kanë filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin  Shëndetësor të Burgjeve.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, thuhet në fund të njoftimit të SHKK.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me vendosjen e masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 brenda burgjeve të Kosovës.

Madje në fillim të përhapjes së coronavirusit në Kosovë, Drejtësia në Kosovë kishte transmetuar edhe një emision në të cilin kishte trajtuar çështjen e mbrojtjes dhe funksionimit të burgjeve në kohë pandemie.