Nga 1 prilli, Kosova importoi nga Serbia grurë, farë misri, miell, dysheme, celularë...

Dogana e Kosovës ka njoftuar se nga 1 prilli në Kosovë u importuan mallra nga Serbia në vlerë 12 milionë euro.

Gjithashtu nga Kosova në Serbi sipas Doganës së Kosovës janë eksportuar mallra në vlerë 0.7 milion euro.

Sipas Doganës, 10 mallrat me vlerën më të lartë të eksportuara në Serbi janë manat, manaferrat e buta dhe qymyri.

Po ashtu, në njoftimin e Doganës thuhet se që nga fillimi i zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë, nga data 1 prill deri më 26 prill janë importuar në Kosovë mallra në vlerë të 12.4 milionë eurove, ndërsa importet e lëndës së parë kapin vlerën e 3.5 milionë eurove.

Nga importi i mallrave nga Serbia janë mbledhur taksa në vlerë prej 1 milion e 69 mijë e 441 euro.

1 mijë e 983 euro janë mbledhur nga Dogana e Kosovës, 67 mijë e 281 euro janë mbledhur nga akciza, 1 milion e 90 euro janë  mbledhur nga TVSH dhe 86.40 euro nga taksa MP.

“Në të gjitha rastet ku është vërejtur ndonjë emërtim apo denominim provokues mallrat janë kthyer mbrapa në Serbi dhe nuk janë lejuar të importohen dhe të zhdoganohen në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe është evidentuar një rast i tillë dhe mauna së bashku me mallrat është kthyer në Serbi”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

“Importi nga Serbia sipas llojit të mallrave është: grurë, misër për farë, miell prej gruri të zakonshëm, ushqime për kafshë, preparate jorefrakatare sipërfaqësore për fasada, mure të brendshme, dysheme, tavane, spango lidhëse apo ambalazhuese, kontejnerë prej alumini me kapacitet më pak se 50 litra, pllaka, fleta, filma prej plastike, celularë, kuti, kasat senduiqët dhe artikuj të ngjashëm të plastikës, paleta të tjera prej druri si dhe tuba me skesion katror ose trekëndësh”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje Dogana e Kosovës ka treguar edhe sfidat e identifikuara në zbatim të masës së reciprocitetit.

“Nga të dhënat në terren dhe atyre të mbledhura nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit janë hasur problemet në vijim për të cilat është njoftuar MEPTINIS:  Gjatë datave 21 dhe 22 prill pala serbe në mënyrë sporadike nuk ka lejuar kalimin e maunave me mallra nga Kosova në Serbi apo edhe atyre të zbrazët përmes PKK-ve në Merdare, Jarinje dhe Bërnjak. Pas reagimit të instancave përkatëse qeveritare pranë BE-së këto masa janë tërhequr nga pala serbe dhe nuk ka raportime për përsëritjen e tyre”, thuhet në njoftim.