Kufiri Kosovë-Serbi. Foto: BIRN

Nesër protesta në Serbi, inkurajohen qytetarët që të shmangin pikat kufitare me Serbinë

Qendra për Menaxhim Kufitar ka inkurajuar të gjithë qyetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes pikë kalimeve kufitare me Serbinë t’i shmangin ato, dhe të përdorin pikëkalime tjera.

Ky njoftim vlen për nesër, më datë 25.05. 2024, pasiqë janë paralajmëruar protesta në pjesën e Serbisë.

“Ju inkurajojmë që të përdorni PKK tjera për qarkullim”- ka njoftuar Qendra për Menaxhim Kufitar.

Njoftimi i Qendrës për Menaxhim Kufitar vlen deri në një njoftim të ri.

KALLXO.com ka marrë vesh se pika kufitare në Jarinjë është njoftuar se nesër rreth orës 13:00 në anën e kufirit serb do të mbahet një protestë me moton “Kosova është Serbi”. Deri tani nuk ka informacione se kush e ka organizuar.

Në TikTok kanë qarkulluar video me thirrjen për t’iu bashkuar protestës më 25.05.2024.

“Ja u kthyem nga Beogradi, kryeqyteti i Serbisë dhe arsyeja e tubimin tonë është se nuk guxojmë kurrsesi të harrojmë se Kosova e Metohia është pjesë përbërëse e Serbisë. Për shkak se po ndodh ajo që po ndodh, që po na bëhet presion, se një pjesë e territorit tonë, Kosovës e metohisë, është e okupuar, më nuk mund të heshtim. Me këtë rast, planifikojmë të mbajmë një miting, protestë më 25 maj, të shtunën, në pikëkalimin e Jarinjes. Këtë herë unë ju ftoj si komandant i Armatës Ortodokse Serbe që të gjithë ata që munden të vijnë aty, bashkë me ne” – thuhet në njërën nga videot, në të cilën flet Dejan Neskoviq.