Protesta para Bashkisë së Tiranës/ Foto: VOA
Vijojnë protestat para bashkisë së Tiranës për largimin e kryebashkiakut Veliaj
Protestues opozitarë u tubuan sërish sot para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar largimin nga detyra të kryebashkiakut Erjon Veliaj.
Në protestën e 12-të brenda dy muajve të fundit për këtë qëllim, protestuesit e cilësuan Veliajn si të përfshirë në korrupsionin e drejtorëve bashkiakë të arrestuar nga SPAK-u nën dyshim për afera korruptive.
Protestuesit dogjën goma automjetesh dhe disa prej tyre, që u përplasën me forcat e rendit, u shoqëruan nga policia.
Në dhjetorin e kaluar dhe në muajin maj, SPAK-u ka arrestuar disa drejtorë dhe ish drejtorë të bashkisë, bashkëpunëtorë të afërt të kryebashkiakut Veliaj, nën dyshimet për afera korruptive, duke përfituar fonde publike, përmes kompanisë 5D.
Inceneratori i Tiranës është një tjetër çështje, që po hetohet nga SPAK-u, ku janë përfshirë drejtues bashkiakë.
Nga ana tjetër, Veliaj ka deklaruar se përgjegjësitë e gjithsecilit para ligjit janë personale dhe se ai nuk mund të jetë në dijeni të çdo veprimi që bëjnë vartësit në sektorë të ndryshëm.
Ai këmbëngul se asnjë dokument i nënshkruar prej tij nuk ka sjellë korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike.
SPAK-u mësohet jozyrtarisht se ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj Veliajt, teksa u ka kërkuar bankave informacione mbi llogaritë bankare dhe transaksioneve të tij dhe të familjarëve të kryebashkiakut të Tiranës./VOA