Protestojnë ish-punonjësit e ‘Rilindjes’ Foto: KALLXO.com, 14.06.2024
Protestojnë ish-punonjësit e ‘Rilindjes’ për mospagesën e një pjese të 20 për qindëshit
Ish-punonjësit e gazetës “Rilindja” kanë protestuar sot më 14.06.2024, para objektit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në Prishtinë, për mospagesën e një pjese të 20 për qindëshit.
Qeveria e Kosovës në vitin 2021 kishte ndarë 3.3 milion euro për ndërmarrjen e gazetës “Rilindja”, por realizimi i pagesave ende nuk është përfunduar thanë ish-punonjësit.
Kjo pagesë ishte premtuar të realizohet në gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe fajin për këtë ish-punonjësit e “Rilindjes” ia hedhin AKP-së.
Në korrik të vitit 2023, sipas organizatorit dhe ish-drejtorit të gazetës “Rilindja”, Zeqir Begolli, është bërë pagesa e një pjesë të këtyre mjeteve dhe nuk ka pasur sqarime tjera lidhur me pjesën e mbetur.
“Veç kah korriku i vitit 2023 është nda një sasi e tyre, kurse pa u ndarë kanë mbetur edhe 1.5 milion dhe askush deri me sot nuk dha sqarime pse ndodhi kjo kohëzgjatje”- deklaroi Begolli.
Në këtë protestëu përmend edhe marrja e “Pallatit të Shtypit” nga Qeveria, tokë kjo me hapësira prej 5.5 hektarësh dhe “dëbimi” i tyre nga UNMIK-ut në vitin 2002.
Kërkesa e tyre lidhur më këtë ishte për pagesën e mbetur të 20 përqindëshit për 5.5 hektarë truall.
Protestuesit ndër të tjera shprehen edhe pakënaqësitë për uzurpimin e pronës së tyre në Tiranë në vitin 2005 dhe kërkuan që kjo pronë të lirohet.
Kërkesa e fundit e protestuesve drejtuar AKP-së ishte për pagesat e kontributeve të punëtoreve të “Rilindjes” më qëllim që ish-punonjësit t’i marrin pagat e plota pasi që AKP-ja ka marrë përsipër obligimet e kësaj ndërmarrje.
Protestuesit paralajmëruan se do vazhdojnë protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre.