Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. FOTO: Presidenca e Republikës së Kosovës.

Nesër nënshkruhet letra e aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE

Për nesër është planifikuar ceremonia e nënshkrimit të letrës për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Sipas Presidencës së Kosovës ceremonia do të mbahet nga ora 11:00.

“Nesër, në orën 11:00 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të letrës së aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian” – është thënë në njoftim.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani Sadriu, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti.

Pas ceremonisë së nënshkrimit tre krerët shtetërorë do të kenë deklaratë për media.

Kryeministri Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se aplikimin për status të kandidatit në Bashkimin Evropian do ta bëjnë këtë javë.

Kurti tha se ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat, ta kthejë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re me BE-në.

“Para 1 vitit bëmë të ditur se këtë vit do të aplikojmë, sot po e bëjmë të ditur se aplikimin do ta bëjmë këtë javë. Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat, ta kthejmë në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re me BE-në” – u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivit tha se krahasuar me shtetet e rajonit, Kosova është më e përgatitura.

“Kjo është në përputhje me aspiratat e popullit tonë, para 1 jave në samitin e Tiranës, BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit, kjo është përgjigje direkte. Krahasuar me shtete e rajonit kur ato kanë aplikuar Kosova është më e përgatitura, BE është vend i paqes sigurisë, barazisë e prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin aty”- shtoi ai.

Gjatë javës së kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi qëndroi për një vizitë 3 ditore në Bruksel, me ç’rast tema kryesore ishte anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

Kurti: Këtë javë do të aplikojmë për statusin e kandidatit në BE