Në Xhaminë e Madhe të Prishtinës mbahet ligjëratë sensibilizimi për kancerin e gjirit

Në ligjëratën e xhumasë në Xhaminë e Madhe në Prishtinë sot është mbajtur ligjëratë sensibilizuese për sëmundjen e kancerit të gjirit.

Rreth kësaj teme ka folur drejtori i Shëndetësisë i Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku, dhe imami i xhamisë, Bahri Sejdiu.

Drejtori Sadiku ka folur për parandalimin dhe mbrojtjen nga sëmundja e kancerit të gjirit dhe ka treguar se ky aktivitet është mundësuar në kuadër të një iniciative, fushate, të quajtur “Vrapo për shërim”.

“Qëllimi i kësaj iniciative është që duke vrapu, edhe duke ecë, me u ndihmu grave të cilat e kanë kalu kancerin, janë duke e kalu kancerin dhe njëkohësisht me punu që mos me ndodh me u paraqit kanceri te gratë tjera” – ka thënë Sadiku.

Gjatë ligjëratës, drejtori ka deklaruar se e vetmja metodë kundër kancerit të gjirit është që të zbulohet herët.

“Zbulimi i hershëm e ndihmon që me u shëru kanceri” – ka theksuar ai.

Ai bëri thirrje që të bëhet mamografia, të cilën e shpjegoi si element shumë të rëndësishëm që mundëson diagnostikimin 80-90% te gratë dhe ky diagnostikim i hershëm ka shumë rëndësi në parashikimin e rezultatit të mjekimit.

“Ne në Prishtinë i kemi bërë tri mamografi, i kemi tre mamografë, aparate. E kemi një në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, një në Veternik dhe një në Dardani. Ne prej 1 tetorit të vitit të kaluar në Prishtinë i kemi bërë të gjitha mamografitë pa pare” – ka thënë Sadiku.

Ai më tej ka bërë thirrje që personat mbi 40-vjeç ta bëjnë mamografinë, në mënyrë që ta parandalojnë këtë sëmundje.

Gjithashtu, ai ka propozuar nëse ka persona që nuk mund të paraqiten në këto qendra ku ndodhen mamografët duhet të lajmërohen dhe t’u tregojnë, pasi që kanë shërbime që mund të kryhen në shtëpitë e tyre, si terapitë.

“Prej 1 janarit deri sot, çdo ditë ne i kemi dhënë 130 shërbime në ditë në Prishtinë… Të gjitha shërbimet që i japim në shtëpi janë terapitë, infuzionet, kontrollimi i mjekut janë pa pare” – ka konstatuar Sadiku.

Me këtë rast, Sadiku ka ndarë një numër ku mund të kontaktojnë personat që mendojnë të kontrollohen: 080099999 dhe 038 222 374, ku mund të telefonohet prej orës 7:00 të mëngjesit deri në ora 7:00 të mbrëmjes.

Mirëpo një qytetar kishte dyshime rreth rrezikshmërisë nga bërja e analizave.

“Qysh mundem me parandalu, qysh me shti gruan time, çikën teme me një rrezik, analizë, ku mundet me depërtu prej një mjeku. Këtu në Kosovë kena përvojë me keqinterpretime, keqdiagnostifikime goxha shumë.. Qysh mundemi me parandalu këtë gjë?” – ka pyetur Nexhat Qorraj.

Drejtori i Shëndetësisëështë përgjigjur duke thënë se ka gjithmonë debat për këtë, mirëpo mbetet propozimi i tij që personat mbi 40-vjeç të bëjnë mamografi.

“Ne po tregojmë, ajo që është tu u ba në botë, ne po e rekomandojmë. E rekomandon Klinika jonë, Shoqata e Onkologëve të Kosovës, ne po përcjellim çka ata thonë” – i është përgjigjur Sadiku.

Sipas njoftimit të Sadikut, ky aktivitet nuk do të ndalet vetëm në këtë xhami, mirëpo ai do të mbahet edhe në xhamitë e tjera të Prishtinës, si dhe në katedralet etj.