Në vitin 2021 në Policinë e Kosovës u raportuan 71 sulme seksuale dhe 55 ngacmime seksuale

71 raste të sulmit seksual janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë vitit 2021 ndërsa 55 raste të tjera të ngacmimit seksual.

Këto të dhëna i shpalosi shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor ‘Qendra’, Avni Namani, në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Në vitin 2019 kanë ndodhur 40 raste të ngacmimit seksual, 48 në vitin 2020 ndërsa në vitin 2021, 55. Unë kam të dhëna edhe për këtë pjesë të vitit, që janë rreth 19 raste të raportuara deri më tani të ngacmimit seksual. Ndërsa për veprë sulm seksual në vitin 2019 janë raportuar 46 raste, në vitin 2020 janë raportuar 65, në vitin 2021 janë raportuar 71 raste të sulmit seksual ndërsa gjatë këtyre muajve të vitit 2022 janë raportuar 15 deri më tani”, tha ai.

Në pjesën e parë të emisionit u trajtua hulumtimi i emisionit “Kallxo Përnime”, i cili tregon për dyshimet se një polic nga Lipjani ishte arrestuar dy herë për të njëjtën vepër penale – ngacmimin e një gruaje nga Shqipëria, e punësuar në Kosovë.