Ilustrim

Në tri raste në Prishtinë Policia u gjen të dyshuarve armë pa leje

Në tri raste të ndara Policia e Kosovës në Prishtinë ka gjetur te disa të dyshuar armë pa leje.

Sipas njoftimit, mbrëmë rreth orës 19:00 pas një mosmarrëveshje në një aksident trafiku, dy të dyshuar kanë kanosur dhe sulmuar fizikisht dy persona të të tjerë, duke ju shkaktuar lëndime trupore.

Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit tek njëri nga të dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe 15 fishekë.

Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër Policia ka njoftuar se dje rreth orës 10:45 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Bajram Bahtiri’ në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes, sipas Policisë, janë hasur dy meshkuj të dyshuar, ku gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar një revole me një karikator dhe 35 fishekë, si dhe një shufër metalike.

Rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Kurse në një rast tjetër në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ po ashtu në Prishtinë, dje rreth orës 03:00 është arrestuar një person, pasi tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një revole me një karikator dhe 11 fishekë.

Sipas Policisë, në lidhje me rastin është konsultuar prokurori, i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.