Në Seçishtë të Hanit të Elezit mbillen 2 mijë fidanë pishash, janë siguruar 35 mijë fidanë

Komuna e Hanit të Elezit, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari, në bashkëpunim me Agjencinë Pyjore të Kosovës, kanë siguruar 35 mijë fidanë të pishës.

Këta fidanë kanë filluar t’i mbjellin në fshatin Seçishtë, me saktësisht në kodrën e Shullanit.

‘’Bashkë me banorët e fshatit Seçishtë, nxënësit e SHML “Dardania” dhe vullnetarë e dashamirë të tjerë, sot filluan procesin e mbjelljes së fidanëve të pishës me gjithsej 2,000 fidanë në kodrën e fshatit Seçishtë, dhe ky proces do të vazhdojë deri në mbjelljen e tërësishme të 35 mijë fidanëve” – ka shkruar nënkryetari i Komunës Sevdi Dernjani.

KALLXO.com ka kontaktuar nënkryetarin e Komunës, Sevdi Dernjani, dhe administratorin e fshatit Seçishtë, Mevludin Kuka.

‘’Kjo ka qenë kërkesë nga administrator i fshatit edhe prej kryesuesit të Kuvendit, Florim Shkreta, i cili është i asaj zone, kur i kemi pasur takimet buxhetore dhe e kanë shprehur si kërkesë dhe pastaj ne kemi bërë kërkesë në Agjencinë e Pyjeve dhe në bashkëpunim me drejtorin për Bujqësi kemi filluar realizimin e këtij projekti – tha nënkryetari Dernjani.

Ndërsa administratori i fshatit Seçishtë, Mevludin Kuka, tha se kjo kërkesë ka qenë shumë e hershme e banorëve, e cila i është drejtuar secilës Qeveri që ka qenë në pushtet por nuk është realizuar.

“Kjo kërkesë është bërë diku që nga viti 2016 por nuk ka qenë e suksesshme dhe ka dështuar të realizohet për disa arsye. Tash kërkesën e kemi bërë në vitin 2022 për projektet e planifikimit në 2023 dhe e kemi pasur si kërkesë me shumë prioritet duke marrë parasysh se ne si fshat jemi të rrethuar nga gurthyes dhe nga fabrika e çimentos “SharrCem” dhe ka qenë shumë e nevojshme. Neve kërkesa na është aprovuar nga mesi i vitit por nga procedurat administrative është vonu dhe kemi filluar tash mbjelljen. Puna në terren po shkon shumë mirë. Ne dje kemi filluar mbjelljen dhe kemi mbjellë afër 2,000 fidanë, dhe kemi bashkëpunim me gjithë banorët e fshatit, institucionet komunale, nxënës të shkollave. por kjo punë do zgjasë varësisht nga puna në terren dhe kushtet atmosferike sepse kemi 35 mijë fidanë për t’i mbjellë- tha administratori i fshatit, Mevludin Kuka.