Polici Afrim Bunjaku i rënë në krye të detyrës më 24 shtator

Në ora 19:00 do të ndizen qirinj para Stacionit të Policisë në Prishtinë

Sot në ora 19:00 para Stacionit Policor “Qendër” në Prishtinë do të bëhet ndezja e qirinjve për Policin e rënë sot në krye të detyrës, Afrim Bunjaku.

Njoftimin e ka bërë Zyra e Kryeministrit.

“Në nderim të tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar do të ndezin qirinj. Ftohen të gjithë qytetarët që të marrin pjesë” – thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në orët e para të mëngjesit janë sulmuar me armë zjarri disa zyrtarë policorë në Banjskë të Zveçanit, meqë rast ka vdekur me armë zjarri zyrtari policor Afrim Bunjaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot gjatë ditës se rreth 30 persona të armatosur të një grupi kriminal terrorist kanë hyrë në Kosovë dhe janë të pajisur me armë të rënda.

Policia e Kosovës ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe dyshohet se pjesëtarët e këtij grupi janë duke qëndruar në Manastirin e Banjskës.

Deri më tani është konfirmuar se të paktën një pjesëtar i këtij grupi ka mbetur i vrarë por Policia nuk ka arritur ta identifikojë.