Në mungesë të kryeministrit Kurti, me kërkesë të opozitës ndërpritet seanca e Kuvendit

Ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës që kishte vetëm një pikë në rend dite – atë të diskutimit për programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Kjo seancë kishte filluar të hënën në ora 10:00, ndërsa kishte zgjatur deri pasditen e asaj dite, për të rinisur sot nga ora 11:00.

Seanca e ditës së sotme u karakterizua me akuza dhe kundërakuza ndërmjet pozitës dhe opozitës në lidhje me programin qeverisës.

Pak para se të përfundojë seanca, Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, që të ndërpresë seancën, pasi kryeministri Albin Kurti nuk është prezent në debat.

“Sot ka qenë e planifikuar që Kurti të marrë pjesë në seancë në orën 12:30, për shkak të vizitës së tij në Bruksel. E kuptuam mungesën e tij në pjesën e parë të seancës, por po na duket e paarsyeshme të vazhdojmë të qëndrojmë në sallë pa praninë e Kurtit sepse ne nuk kemi me kë të debatojmë”, ka thënë Gashi.