Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut bëhet thirrje për hapjen e urës së Ibrit

Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Komunës të Mitrovicës së Veriut më 31.05.2024, ka kërkuar që të zbatohet vendimi për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Çështja e urës është ngritur në këtë seancë nga asamblistja, Aida Ferati- Doli.

Ajo ka thënë se çështja e urës i takon dy komunave, si të Mitrovicës së Veriut ashtu edhe asaj të Jugut.

“Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar, nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin se kur do të hapet. Do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje”- ka thënë ajo.

Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit, Nexhat Uglanin tha se zbatimi i vendimit për çështje e urës është i obligueshëm për autoritetet lokale.

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”- tha ai.

Pas përfundimit të seancës, zëvendëskryesuesi i kuvendit komunal, Skender Sadiku ka thënë se çështje e urës së Ibrit nuk ka qenë në rend të ditës për seancën e sotme.

“Kemi ardh në një seancë të rregullt, është hapur si temë ura e Ibrit që nuk është ndryshu rendi i ditës. Në prill të vitit 2023 kemi marrë vendim që të hapet ura, ndarja që i brengos qytetarët është tek njerëzit sesa të betoni”- u shpreh ai.

Ai tha se nuk ka koment pse nuk po zbatohet vendimi i asamblesë komunale nga institucionet qendrore të Kosovës.

Ura mbi Ibër që nga viti 1999 është kthyer në “simbol” të ndarjes së Mitrovicës, në jug dhe veri. Në jug- shumica shqiptare, në veri- shumica serbe.

Kjo urë, në vitin 2011 ishte kthyer edhe në simbol të barrikadave nga serbët lokalë.

Në vitin 2014, barrikada u zëvendësuan me gardhe betoni e me pemë, të cilat u quajten si “Parku i Paqes”.

Në vitin 2016 u hoq ky park dhe u planifikua që ura të hapet për qarkullim.

Në prill të vitit 2023, në Kuvendin i Komunës së Mitrovicës së Veriut është marrë vendimi për hapjen e kësaj ure. Por, ky vendim nuk është zbatuar ende.

 

Pse nuk u zbatua vendimi i prillit të vitit 2023 për hapjen e Urës së Ibrit?