iLUSTRIM

Në Banjskë, Njësia Speciale Operative zëvendësohet nga Njësia e Reagimit të Shpejtë

Njësitë Speciale Operative të Policisë së Kosovës të vendosura në Banjskë të Zveçanit janë zëvendësuar sot nga Njësia e Reagimit të Shpejtë.

Kjo pasi nga ana e Policisë po vlerësohet se ka rënë niveli i rrezikshmërisë në këtë zonë.

Kjo është konfirmuar për KALLXO.com edhe nga zëvendësdrejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu, Veton Elshani.

“Po, Njësitë Speciale kanë qenë deri dje, sot janë Reagimi i Shpejtë” – ka thënë Elshani.

“Konsiderohet se ka rënë niveli i rrëzikshmërisë dhe niveli i gatishmërisë është ulur” – ka shtuar tutje ai.

Të dielën e 24 shtatorit, një grup personash të armatosur kreu sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e sulmit, një polic i Kosovës, rreshter Afrim Bunjaku ka mbetur i vrarë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Që nga 24 shtatori vazhdon gjetja dhe sekuestrimi i armëve të tjera, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth.