Ndërhyrja e ‘RENEAS-s’ në banesën e të dyshuarit në Durrës i cili mbante peng dy fëmijët e tij - VIDEO

Reparti Special “RENEA”, i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, ka arritur të arrestojë një 40-vjeçar me iniciale A.M., në Durrës, i cili dyshohet se mbante peng dy fëmijët e tij në një banesë pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës” dhe gjuante me armë zjarri.

Fillimisht rreth orës 02:20, Policia e Durrësit ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati.

Policia e Durrësit bashkë me njësinë “RENEA” i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai kishte vazhduar të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e DVP Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A.M.

Policia nxorri të dy fëmijët të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë, ka njoftuar Policia e Shtetit.

Në banesën ku qëndronte i dyshuari Policia gjeti një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja.