Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com

Ndalohen tre zyrtar policor lidhur me rastin “Karaçeva”

Inspektorati Policor i Kosovës  në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndaluar sot tre zyrtar policor në lidhje me rastin “Karaçeva”.

“Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Gjilan ju njoftojnë se si vazhdimësi e hetimeve intensive sot janë ndaluar edhe tre persona të dyshuar lidhur me rastin ‘’Karaçeva’’. Tre të dyshuarit, zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare në Lindje, janë ftuar sot në orët e paradites për intervistim në cilësi të të dyshuarve në objektin e IPK-së në Hajvali”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Në bazë të njoftimit, të njëjtit pas intervistës me urdhëresë të Prokurorisë Themelore në Gjilan janë arrestuar me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Kontrabandim me mallra” e sanksionuar me nenin 311 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse si pjesë e procedurave administrative me rekomandim të IPK-së edhe janë suspenduar. Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe për informacione shtesë do të vazhdojmë të ju mbajmë të informuar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me rastin Karaçeva.

Aksioni në Karaçevë është realizuar në dy faza, atë të parën ku janë arrestuar më shumë se 30 persona për kontrabandë dhe lojëra fati, ndërsa në fazën e dytë janë arrestuar pronarë të fabrikave të mishit dhe mishtoreve në disa lokacione në Kosovë për shkak dyshohet se kishin blerë dhe kishin vënë në prodhim mish i cili ishte nga kafshët e kontrabanduara nga Serbia përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë.

Në fakt në aksionin në Karaçevë, janë arrestuar mbi 60 persona. Disa nga të arrestuarit janë vetëdorëzuar ditët vijuese pas operacionit.

Në këtë aksion të gjerë u arrestuan edhe 12 zyrtar policor, njëri nga ta Ferid Leci, i cili sipas dosjes së prokurorisë figuron se është pronar i objektit kryesor në Karaçevë ku zhvilloheshin lojërat e fatit. Leci përveç se po dyshohet për organizim të lojërave të fatit ai dyshohet edhe për kontrabandim me gjedhe.

Përveç arrestimeve në rastin e Karaçevës në dy faza janë konfiskuar, 252 aparate të lojërave të fatit, 2 roletë të cilët janë shkatërruar në vendin e ngjarjes, 6,576 euro para të gatshme, 163,650 dinarë të Serbisë, dy pushkë gjuetie, tri pistoleta, 63 gjedhe, 322 matrikula, 15 shtëpiza të kompjuterëve 9 DVR me video inçizime dhe prova të tjera të cilat do të përdoren në rastin e Karaçevës.

Aksioni në Karaçevë i zhvilluar më 18 shtator të vitit të kaluar erdhi si rezultat i një hetimi më shumë se një vit.

Të arrestuarit në dy fazat e rastit po dyshohen për veprat penale, organizim të lojërave të fatit, kontrabandë, blerje të kafshëve të kontrabanduara si dhe vënie në prodhim të mishit nga kafshët e kontrabanduara.

Në Karaçevë janë rrënuar edhe 13 objekte të cilat kanë funksionuar për një kohë të gjatë si kazino ilegale.

Në rastin në Karaçevë në fazën e parë kanë marrë pjesë rreth 360 zyrtarë policorë dhe rreth 70 hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërsa në fazën e dytë rreth 230 zyrtarë policorë dhe mbi 20 hetues të IPK-së.

Emisioni Drejtësia në Kosovë ka transmetuar edhe pamjet ekskluzive nga konfiskimet e mishit në mishtoret në Gjilan, Prizren, Pejë, Suharekë dhe lokacione të tjera. Gjithashtu gjatë emisionit u shfaqën edhe pamje të mishit të prishur në një nga fabrikat e bastisura.

Në lidhje me rastin në Karaçevë në një intervistë ekskluzive për Drejtësia në Kosovë ka folur edhe prokurorja e rastit Rozelida Manastiri.