Karaçevë - 18.09.2020 FOTO KALLLXO.com

Arrestohet edhe një person që organizonte lojëra fati në Karaçevë

Xh. K., është arrestuar nga policia tri ditë më parë nën dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në organizimin e lojërave të fatit në fshatin Karaçevë.

KALLXO.com mëson se Xh. K., është arrestuar më 12 janar nga Policia e Rajonit të Kamenicës ku më pas edhe është ndaluar ndërsa gjatë ditës së djeshme ndaj të njëjtit është caktuar edhe masa e arrestit shtëpiak.

Xh. K., dyshohet se nga muaji qershor i vitit 2019 e deri më 18 shtator të vitit 2020 në mënyrë të vazhdueshme në njërin nga lokalet në fshatin Karaçevë ka organizuar lojëra të fatit, këto të fundit në Kosovë janë të ndaluara me ligj të posaçëm.

I arrestuari pra po dyshohet për veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me rastin Karaçeva.

Aksioni në Karaçevë është realizuar në dy faza, atë të parën ku janë arrestuar më shumë se 30 persona për kontrabandë dhe lojëra fati, ndërsa në fazën e dytë janë arrestuar pronarë të fabrikave të mishit dhe mishtoreve në disa lokacione në Kosovë për shkak dyshohet se kishin blerë dhe kishin vënë në prodhim mish i cili ishte nga kafshët e kontrabanduara nga Serbia përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë.

Në fakt në aksionin në Karaçevë, janë arrestuar mbi 60 persona. Disa nga të arrestuarit janë vetëdorëzuar ditët vijuese pas operacionit.

Në këtë aksion të gjerë u arrestuan edhe 12 zyrtar policor, njëri nga ta Ferid Leci, i cili sipas dosjes së prokurorisë figuron se është pronar i objektit kryesor në Karaçevë ku zhvilloheshin lojërat e fatit. Leci përveç se po dyshohet për organizim të lojërave të fatit ai dyshohet edhe për kontrabandim me gjedhe.

Përveç arrestimeve në rastin e Karaçevës në dy faza janë konfiskuar, 252 aparate të lojërave të fatit, 2 roletë të cilët janë shkatërruar në vendin e ngjarjes, 6576 euro para të gatshme, 163,650 dinarë, dy pushkë gjuetie, tri pistoleta, 63 gjedhe, 322 matrikula, 15 shtëpiza të kompjuterëve 9 DVR me video inçizime dhe prova të tjera të cilat do të përdoren në rastin e Karaçevës.

Aksioni në Karaçevë i zhvilluar më 18 shtator të muajit të kaluar erdhi si rezultat i një hetimi më shumë se një vit.

Të arrestuarit në dy fazat e rastit po dyshohen për veprat penale, organizim të lojërave të fatit, kontrabandë, blerje të kafshëve të kontrabanduara si dhe vënie në prodhim të mishit nga kafshët e kontrabanduara.

Në Karaçevë janë rrënuar edhe 13 objekte të cilat kanë funksionuar për një kohë të gjatë si kazino ilegale.

Në rastin në Karaçevë në fazën e parë kanë marrë pjesë rreth 360 zyrtarë policorë dhe rreth 70 hetues të Inspektoratit Policor të Kosovës, ndërsa në fazën e dytë rreth 230 zyrtarë policorë dhe mbi 20 hetues të IPK-së.

Emisioni Drejtësia në Kosovë një javë më parë transmetoi edhe pamjet ekskluzive nga konfiskimet e mishit në mishtoret në Gjilan, Prizren, Pejë, Suharekë dhe lokacione të tjera. Gjithashtu gjatë emisionit u shfaqën edhe pamje të mishit të prishur në një nga fabrikat e bastisura.

Në lidhje me rastin në Karaçevë në një intervistë ekskluzive për Drejtësia në Kosovë ka folur edhe prokurorja e rastit Rozelida Manastiri.