Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Naser Ramadani flet për mosrespektimin e masave nga partitë politike

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, i ftuar në “Kallxo Pernime” përballë Jeta Xharrës ka folur në lidhje me mosrespektimin e masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë kundër COVID-19.

Ramadani theksoi se tubimet publike kudo që mbahen dhe nga kushdo, e që i tejkalojnë rekomandimet e Institutit, paraqesin rrezik potencial për të përhapur sëmundjen.

Ndërsa në lidhje me tubimet e partive politike, Ramadani tha se u uron sukses dhe shëndet në zgjedhje.

“Partive në rend të parë ju dëshiroj sukses dhe shëndet në zgjedhje. Ata që po mblidhen, ju dëshiroj të mos mblidhen dhe të mos rrezikojnë shëndetin e tyre, të afërmve të tyre dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Këto janë mesazhe të qarta dhe të pashmangshme për çdonjërin, por jo vetëm për udhëheqësin e pandemisë”, tha Ramadani.

Duke përmendur thirrjet e vazhdueshme të ekspertëve për respektimin e masave, Ramadani tha se ata që kujdesen për shëndetin e vet, janë duke i mbajtur masat e rekomanduara.

“Ata që duan ta ruajnë shëndetin e tyre, janë duke e mbajtur. Fatmirësisht shumica e njerëzve në Kosovë nuk janë sëmurë nga COVID-19 dhe nuk do të sëmuren asnjëherë, nëse u përmbahen këtyre rekomandimeve shumë të thjeshta, të zakonshme dhe të mundshme, që nuk janë shpikur në kohën e pandemisë, por janë shpikur prej kur ekziston njerëzimi edhe shëndeti”, tha Ramadani.

Drejtori i IKShPK deklaroi se nëse e gjithë bota i mban masat, atëherë si epidemiolog garantojnë se nuk do të ketë pandemi, por vetëm raste sporadike.

“Sepse do ta shihni se virusi do të ikë prej këtu për një kohë të caktuar, kur ne kthjellemi, sepse virusi nuk ka ardhë në Kosovë që të mbys njerëz, por virusi ka ardhë që të civilizojë njerëz”, tha Naser Ramadani.