Foto-ilustrim

Naftëtarët kosovarë kundërshtojnë Agjencinë e Konkurrencës rreth fitimeve

Sot u mbajt mbledhja e kuvendit të shoqatës të ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve, “SHQNGL”.

Këtë mbledhje e udhëhoqi Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës.

Të pranishëm ishin po ashtu edhe shumë përfaqësues nga kompani të pikave të karburanteve.

Kryetari i shoqatës Fadil Berjani tha se Agjencia Kosovare e Konkurrencës gaboi kur i akuzoi kompanitë që merren me derivate se të njëjtat kanë një fitim prej 60 për qind dhe se po i mashtrojnë qytetarët.

“16 kompani vitin e kaluar janë hetuar me kurdisjen e çmimeve. Në vitin e kaluar e kemi kundërshtuar dhe nuk do ta pranojmë prapë. Qëndrimi i shoqatës është se nuk ka pas marrëveshje dhe nuk ka pas çmim kartel. Ky komunitet i biznesit e meriton një respekt më të madh sepse 30% e buxhetit të Kosovës e përbëjnë. Unë mendoj që duhet të kemi një takim me kryetarin e Agjensionit dhe duhet të bëjmë një kërkesë dhe të bisedojmë me ta. Shoqata kundërshton sepse nuk kemi fitim 60% apo diku është paraqitur 120%  në derivatet e naftës dhe nuk kemi asnjë marrëveshje për çmimin, është shumë e palogjikshme të mendohet diqka e tillë”.

Foto: Kallxo.com

Deklarimet e Agjencisë së Konkurrencës i demantoi edhe pwrfaqwsuesi i ‘HIB Petrol’.

“Unë jam dakord që kumtesa e përbashkët është që nuk ka marrëveshja mes kompanive dhe të punohet dhe t’i kontestomë të gjitha pikëpamjet e Agjencionit Kosovar të Konkurrencës dhe t’i kundërshtojmë, shtoi Hysen Lajçi nga ‘HIB Petrol’.

Një pjesë e madhe e panelistëve thanë se mediat nuk marrin vesh nga mënyra sesi funksionon importi i derivateve, dhe nuk e përcjellin bursën ndërkombëtare të rënies dhe ngritjes së naftës, prandaj ata nuk duhet të raportojnë pa i analizuar çmimet e vendeve të rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe do ta kuptojnë që ne nuk jemi rast unik me këto çmime.

Mos na paraqitni si kriminel para qytetarëve, sepse ne e kemi të vështirë të ua dëshmojmë të kundërtën.

Historiku

Naftëtarët kanë përfituar në kurriz të qytetarëve në fund të vitit të kaluar. Ato i kanë rritur fitimet deri në 135%, apo njëmbëdhjetë herë më shumë se sa në muajt paraprakë.

Kështu ka gjetur Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës gjatë hetimit të 14 kompanive që merren me shitjen e naftës.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konstaton se në bazë të fakteve të gjetura gjatë procedurës hetimore, ndërmarrjet që operojnë me shitjen me pakicë të naftës nuk kanë reflektuar në mënyrë individuale për çmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt NËNTOR DHE DHJETOR TË VITIT 2018”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni të konkurrencës.

Fitimit nga shitja e naftës kishte shkuar deri në 124%.

“Kompanitë që janë në procedurë hetimore, dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës.

“Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në nëntor ka qene 108% kurse në dhjetor 135%”, nënvizon ky institucion.

Këto të dhëna nuk janë përfundimtare pasi Autoriteti i Konkurrencës do të pres paraqitjen e komenteve nga të gjithë operatorët brenda një muaji.

Në fund të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi për dyshimet për falsifikim të çmimit të naftës.

Çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare kishin rënë për 40 për qind nga fillimi i muajit tetor 2018, por kjo nuk është reflektuar në tregun e Kosovës.

Ulja e ngadalshme e çmimit të naftës e ka alarmuar Autoritetin e Konkurrencës, që po dyshon për marrëveshje në mes të naftëtarëve për mbajtjen e çmimeve në nivel të lartë.

Kjo nuk është hera e parë që naftëtarët reagojnë shumë ngadalë në uljen e çmimeve në mënyrë lineare me uljen e çmimeve në bursën ndërkombëtare. Edhe në të kaluarën kemi pasur raportime të njëjta.