Ilustrim

Dyshime për fiksim të çmimit të naftës në Kosovë

Çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare kanë rënë për 40 për qind nga fillimi i muajit tetor, por kjo nuk është reflektuar në tregun e Kosovës.

Ulja e ngadalshme e çmimit të naftës e ka alarmuar Autoritetin e Konkurrencës, që po dyshon për marrëveshje në mes të naftëtarëve për mbajtjen e çmimeve në nivel të lartë.

Kjo nuk është hera e parë që naftëtarët reagojnë shumë ngadalë në uljen e çmimeve në mënyrë lineare me uljen e çmimeve në bursën ndërkombëtare. Edhe në të kaluarën kemi pasur raportime të njëjta.

Aktualisht çmimi më i lirë i naftës në rajon është në Maqedoni, ku qytetarët mund të shërbehen me 1 litër naftë për 1 euro. Pas Maqedonisë, çmimin më të lirë të naftës e ka Kosova me 1.14 euro për litër. E treta me radhë vjen Bosnja dhe Hercegovina me 1.26 euro për litër. Një cent më shtrenjtë naftën e paguajnë në shtetin e Malit të Zi, 1.27 euro për një litër të naftës me pakicë.

Vendet e rajonit ku qytetarët shërbehen me naftë më të shtrenjtë për litër janë Kroacia me 1.35 euro për litër dhe Serbia me 1.40 euro për një litër në tregun e shitjes me pakicë. Ndërsa çmimi më i shtrenjtë i naftës në rajon është në Shqipëri. Aktualisht një litër naftë me pakicë në treg mund të blihet 1.46 euro.

Një litër naftë më së shumti paguhet në Shqipëri por nga ana tjetër sipas “Ora News”, në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë rilicencimi, apo në total rreth 0.70 euro.

Në Kosovë paguhet vetëm akciza prej 36 centë për litër.

Çmimi i naftës në vendet e rajonit

Fadil Berjani, kryetari i “Shoqatës së naftëtarëve” ka thënë se çmimin e naftës në Kosovë e dikton çmimi i saj në bursë dhe organizata prodhuese OPEC por që ajo reflekton me vonesë në Kosovë.

“Sado kudo edhe te kjo po respektohet edhe berza edhe çmimet që janë në regjion dhe trendët ndërkombëtare”, ka deklaruar Berjani.

Por ai ka thënë se në Kosovë është çmimi më i lirë i naftës në regjion duke përjashtuar Maqedoninë.

“Sot derivatet në Republikën e Kosovës qytetarëve iu shërbehen me çmim prej 1 e 10 cent deri në 1 e 15 cent. Ndërsa shtetet në regjion si Serbia, Mali i Zi, Bosnja, të gjitha shtetet në regjion janë më të shtrenjta se Kosova për nja 20 cent ma shumë”, është shprehur Berjani për Kallxo.com.

Nëpër media ditët e fundit u raportua se në Kosovë çmimi i naftës është 30 më i shtrenjtë se në vendet e rajonit, por Berjani e ka quajtur një gabim këtë informacion.

“Unë e quaj një gabim nëpër media dje se nuk ka shanse teorike nuk ka me qenë më lirë në Evropë se te ne në Kosovë, te ne në Kosovë është çmimi më i liri, do të thotë përveç Maqedonia që e ka 1 euro naftën dhe 1.04 benzinën. Kjo është se ne në Kosovë e kemi akcizën më të lartë se Maqedonia. Shqipëria e ka 1.47 naftën ndërsa benzinën 1.48”, ka thënë Berjani.

Hetimet për çmimin e naftës 

Dje kryetari i Autoritetit Kosovar i Konkurrencës, Valon Prestreshi ka bërë të ditur që kanë filluar hetimet në tregun e derivateve të naftës nën dyshimet se ka marrëveshje për ngritje të çmimit.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës edhe në të kaluarën ka qenë duke e monitoruar tregun e derivateve të naftës si pjesë e Agjendës për Reforma Evropiane, dhe konkluzionet e veta i’a ka dërguar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, këtë raport mund ta gjeni ne webfaqe të AKK-së”, kishte shkruar Prestreshi në Facebook.

Berjani nga “Shoqata e naftëtarëve” ka thënë se e përkrahin Autoritetin e Konkurrencës që do të fillojnë hetimet por sipas tij naftëtarët nuk kanë bërë asnjë marrëveshje në lidhje me çmimin.

“Ne e përkrahim Autoritetin e Konkurrencës i cili do të merr masa, kjo është e mirëseardhur që hetuesia të kontrolloj, kjo është e mirë, asgjë të keqe nuk ka, po naftëtarët e Republikës së Kosovës nuk kanë marrëveshje për çmim. Çmimet janë thuajse gjithkund të ndryshme”, ka theksuar Berjani për Kallxo.com.

Por Berjani ka thënë se në Kosovës sa më shpejtë duhet sa më shpejtë të kaloj Ligji i naftës që ky sektor të mos jetë në mëshirën e tregtarëve. Po ashtu ai ka deklaruar se Kosova duhet të ketë një rregullator siç e ka Maqedonia në më mënyrë që zbritja dhe ngritja e çmimit të reflektohet shumë shpejtë.

“Sepse Maqedonia reflekton shumë shpejtë deri te ndryshimi i çmimit shkaku që e ka rregullatorin, te na ministrat e tregtisë vijnë e shkojnë, ulen në karrige e kurrfarë pune nuk përfundojnë”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave që Berjani i ka bërë të ditura për Kallxo.com, çmimi i naftës nga viti 2016 deri në 2018 ka shkuar duke u rritur. Çmimi i naftës në Kosovë për litër në vitin 2016 ka qenë 1 euro, në vitin 2017 ka shkuar nga 1 euro deri në 1.5 euro ndërsa në vitin 2018 ky çmim është ngritur dhe është sjellë nga 1.05 deri në 1.25 euro.

“Viti 2018 ka një lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe prodhimi nuk ka qenë stabil në organizatën prodhuese OPEC. Kur ka qenë prodhimi më i vogël kemi pas çmime më të larta ndërsa kur kemi pas prodhim më të lartë kemi pas çmime më të lira, kjo ka qenë në vitin 2016”, ka thënë Berjani për Kallxo.com.

Çmimi i naftës nga janari deri në dhjetor të vitit 2018

Sipas të dhënave të “Markets Insider”, çmimi i naftës nga fillimi i vitit 2018 deri në fund të vitit 2018 ka shkuar nga 60 dollarë për barrel deri në 46.2 dollarë për barrel.

Nga fillimi i janarit deri në fund të muajit qershor të vitit 2018, çmimi i naftës vazhdimisht ka shkuar duke u rritur. Nga 60 dollarë për barrel sa ka qenë më 2 janar, ka arritur në 74 dollarë për barrel më 29 qershor.

Nga qershori deri më 4 shtator ky çmim ka pësuar një rënie të lehtë. Përderisa më 1 tetor ka arritur çmimin më të lartë, 75 dollarë për barrel.

Që nga 1 tetori çmimi i naftës vazhdimisht ka shkuar duke rënë, derisa tanimë në dhjetor ka arritur në 46 dollarë për barrel.

Çmimet e naftës në Europë

Çmimet e naftës në Evropë

Në hartë mund të shihen qartë vendet në të cilat karburantet janë më të lira dhe më të shtrenjta. Me ngjyrë të gjelbër janë të ngjyrosura vendet ku karburanti është më i lirë dhe me ngjyrë të kuqe vendet ku karburanti është më i shtrenjtë.

Sipas hartës së mësipërme shihet se një litër naftë më së liri mund të blihet në Rusi, me vetëm 62 centë ndërsa më së shtrenjti në Norvegji, Islandë, Belgjikë dhe Zvicër, ku çmimi i naftës varion nga 1.59 euro deri 1.65 euro.

Vende si Gjermania dhe Sllovakia kanë një çmim të naftës prej 1.29 euro. Ndërsa Franca, Italia dhe Britania e madhe i afrohen zonës së kuqe dhe në këto vende çmimi i naftës shkon nga 1.45 euro deri në 1.49 euro.

Çmimi mesatar në Evropë për ‘Diesel’ sipas ‘Autotravel’, në dy javët e fundit ka rënë në 0.04 euro dhe tani është 1.22 euro.

Çmimi mesatar i naftës në Europë

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensionit Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’