Çmimi i naftës në Kosovë, flet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve

Prej kur Qeveria e Kosovës e kishte hequr çmimin maksimal të lejuar e deri më sot, çmimi i naftës është shtrenjtuar për 10 centë.

Më 24 korrik, çmimi maksimal i lejuar i naftës ka qenë 1.69 euro ndërsa nga ajo ditë e deri më sot çmimi ka lëvizur deri mbi 1.80 euro. Që nga sot, Qeveria përsëri ka vendosur çmimin maksimal të lejuar për karburante, dhe ai për naftën është 1.79 euro.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për KALLXO.com se çmimi maksimal i derivateve të naftës është duke u respektuar.

“Ne kemi pasur takim me Ministrinë e Tregtisë dhe jemi dakorduar që importuesit t’i kenë 2 centë marzhë fitimi në import, ndërsa në pikat e karburantit me pakicë t’i kenë 12 centë marzhë fitimi” – shtoi Berjani.

Në pompat e derivateve në Kosovë, çmimet e naftës variojnë nga 1.75 deri në 1.79 euro, sa është edhe çmimi maksimal i lejuar.

Edhe në muajin qershor, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për derivate të naftës, i cili ishte në fuqi për 30 ditë. Çmimi maksimal i lejuar ishte përcaktuar çdo 24 orë. Ky vendim u mor pasi çmimi i naftës shkoi deri në 1.95 euro për litër në pikat e shitjes së karburanteve në Kosovë.

Nëpërmjet udhëzimit administrativ, Qeveria e Kosovës kishte përcaktuar se marzha tregtare e lejuar (fitimi) për naftëtarët në Kosovë të ishte 2 centë për litër për shitësit me shumicë dhe 12 centë për litër për ata me pakicë.

Aktualisht në disa vende evropiane çmimi i naftës ka shkuar deri në 2 euro.

Çmimi i derivateve të naftës dhe kërkesa për to është rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.