Foto: KOSTT

Mustafë Hasani rikthehet si Kryeshef Ekzekutiv në KOSTT

Me vendimin e bordit të drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, Mustafë Hasani sot ka marrë detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv.

Hasani u kthye në vendin e punës si Kryeshef Ekzekutiv pas urdhrit të gjykatës dhe vendimit të bordit për të zbatuar këtë urdhër.

Pas vendimit pozitiv të Gjykatës Themelore si dhe të Gjykatës së Apelit, me ç’rast vendimi për rikthimin e Mustafë Hasanit në vendin e punës si Kryeshef Ekzekutiv është bërë i formës së prerë, bordi i drejtorëve të KOSTT, në takimin e datës 6 nëntor 2020 vendosi për zbatimin e urdhërit të Gjykatës.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT-it, Mustafë Hasani, tha se po rikthehet në KOSTT në një etapë të rëndësishme për të gjithë sektorin e energjisë në Kosovë.

“Bashkërisht me menaxhmentin e lartë do të përkushtohemi në arritjen e objektivave strategjike të kompanisë, implementimin e Marrëveshjes së re të Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe realizimin e përgatitjeve sa më profesionale për fillimin e funksionimit si zonë rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë si dhe operacionalizimin e Bursës Shqiptare të energjisë ALPEX. Gjithashtu, siguroj të gjitha palët e interesit vendore dhe ndërkombëtare në përkushtimin tim për bashkëpunim profesional, gjithnjë në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik të vendit”, tha Hasani.

Mustafë Hasani është Doktor i Shkencave të Ekonomisë dhe ka një përvojë shumë-vjeçare në pozita të ndryshme udhëheqëse në institucionet vendore.

Hasani ka mbajtur pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT nga dhjetori i vitit 2015 deri në gusht të vitit 2017. Ndërkaq paraprakisht ka mbajtur pozitën e Drejtorit Gjeneral në Administratën Tatimore të Kosovës, Kryeshef Ekzekutiv i Agjensionit për Promovimin e Investimeve, Drejtor i Bordit të Trafikut Urban dhe Drejtor i Departmentit Qendror për Partneritet Publiko-Privat në Ministrinë e Financave.

Gjithashtu ai ka qenë i angazhuar në projekte të ndryshme të Komisionit Evropian si dhe si ligjerues i lëndëve ekonomike në kolegje private në Kosovë.

Më 6 nëntor, bordi i KOSTT-it ka shkarkuar Ilir Shalën nga pozita e kryeshefit ekzekutiv. Shala ishte zgjedhur në këtë pozitë më 3 prill 2018.