Ilir Shala, kryeshef ekzekutiv i KOSTT, Foto: Facebook

Shkarkohet kryeshefi i KOSTT-it, Ilir Shala

Kryeshefi i KOSTT-it, Ilir Shala, përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se është shkarkuar nga kjo pozitë.

Sipas njoftimit, në këtë pozitë është emëruar Mustafë Hasani.

“Sot, Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it, i kryesuar nga Jeton Mehmeti dhe Nebih Zariqi, Ajrina Gashi-Hamdiu, Xhyldane Kiçmari dhe Arben Dodaj, vendosi për shkarkimin tim nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv dhe kthimin në pozitën si Kryeshef Ekzekutiv të Mustafë Hasanit, i shkarkuar nga ish-Bordi i Drejtorëve, në Gusht 2017, (sipas Ligjit të Ndërmarrjeve Publike, si ligj special, që mbizotëron ndaj ligjeve tjera), gjoja duke u arsyetuar në zbatimin e Urdhërit Përmbarimor të Gjykatës Përmbarimore, pas vendimeve të marra me standarde të dyfishta të Inspektoratit të Punës, dhe duke mos zbatuar Udhëzimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, nr. 189/2020, datë 25.09.2020, për moszbatim të Vendimeve të Inspektoratit të Punës, nga Gjykata Përmbarimore”, thuhet në postimin e Shalës.

Sipas Shalës, ky bord është duke zbatuar agjendën e grupeve të ndryshme politike të interesit.

“Si do që të jetë, unë me përgjegjësi morale e ligjore do të marrë të gjitha masat në ndjekjen e të drejtës sime ligjore, qoftë përmes procedurës penale apo civile. Dua të falenderoj dhe njëkohësisht i kërkoj falje shumë familjes sime, që s’kam mundur të jem 100% i përkushtuar ndaj tyre, por më shumë i përkushtuar për interesat dhe arritjet historike që bëmë bashkë me grupin punues dhe gjithë punonjësit e KOSTT-it: formimi i Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri, marrëveshjen e re KOSTT – ENTSO-E, ku definohet pavarësia energjetike e Kosovës, Themelimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike”, thuhet në postim.

Shala ka shkruar se ndjehet i lumtur dhe krenar për të arriturat e fundit të KOSTT nën udhëheqjen e tij, në bashkëpunim me puëntorët e KOSTT-it, U.S. Embassy Pristina, Kosovo, USAID Kosovo, German Embassy Pristina, dhe Bankën Gjermane për Zhvillim.

Me 3 prill 2018, KALLXO.com ka raportuar për emërimin e Shalës në postin e kryeshefit të KOSTT-it.

Ilir Shala Është Zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT