Mustafa: Marrëveshja për 'Ujmanin' nuk u ndryshua

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka zbuluar detaje të ditës 3 dhe 4 shtator kur delegacioni i Kosovës po negocionte marrëveshjen me Serbinë në Uashington.

Mustafa ka thënë se pika për Ujmanin në marrëveshjen e nënshkruar nuk u ndryshua, ndërsa ka treguar për bisedimet që ka pasur me Haradinajn për këtë pikë.

“Me z. Haradinaj kemi komunikuar me telefon dhe me mesazhe me dt 3 shtator, jemi takuar dhe kemi pirë kafe me dt 4 shtator në ora 10 paradite. E kam informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç më është prezantuar nga z. Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën serbe, prandaj se nuk ka vend të shqetësohemi. Kemi vazhduar të komunikojmë edhe pasdite, me kohen tone lokale”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, Haradinaj ka kërkuar që teksti që është nënshkruar, të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë, por vetëm me ShBA-të, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujmani, por vetëm fizibiliteti për ujërat.

Mustafa ka thënë se është informuar nga kryeministri Hoti, pasi ka prezantuar këto shqetësime, se pala amerikane nuk pajtohet të bëhen ndryshime dhe se mbetet ose të nënshkruhet marrëveshja ashtu siç ishte ose të mos nënshkruhet fare.

Kryetari i LDK-së ka thënë se i janë ofruar edhe dorëheqjet e dy ministrave të AAK-së.

“Unë jam informuar nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ( në ora 15:19 min) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikan por se edhe une edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-të”, ka shkruar Mustafa.

Tutje, i pari i LDK-së ka thënë se punët e qeverisë kërkojnë bashkëpunim dhe besim, ashtu si edhe dialogu. Sipas tij, kryeministri dhe qeveria janë zgjedhur dhe i është dhënë besimi si partner të koalicionit.

“Është e padenjë dhe e padrejtë të tentohet të krijohet opinioni se njëri partner në dialog e fali Ujmanin ndërkaq tjetri e shpëtoi”, ka shkruar në fund Isa Mustafa.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ditën që është nënshkruar marrëveshja kishte thënë se është i lumtur që shqetësimi i tyre, ka reflektuar.

“I lumtur që shqetësimet tona në pikën kontestuese për Ujmanin, kanë reflektuar në Marrëveshjen e nënshkruar. Besimi ynë në rolin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithmonë ka qenë i paluhatshëm dhe i tillë mbetet”, kishte shkruar Haradinaj në ‘Facebook’.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë
E vërteta për marrëveshjen në Washington, sa i përket Liqenit të Ujmanit, nuk është kjo që po raportohet nga disa media.
Formulimi për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim më dt 4 shtator. Më dt 3 shtator, në mbrëmje, nga Kryeministri Hoti jam njoftuar për harmonizimin e formulimit, i cili është nënshkruar ditën e nesërme ( më dt. 4 shtator).
Me z. Haradinaj kemi komunikuar me telefon dhe me mesazhe me dt 3 shtator, jemi takuar dhe kemi pirë kafe me dt 4 shtator në ora 10 paradite. E kam informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç më është prezantuar nga z. Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën serbe, prandaj se nuk ka vend të shqetësohemi. Kemi vazhduar të komunikojme edhe pasdite, me kohen tone lokale.
Në bisedë me mua, z. Haradinaj ka shprehur kërkesën që teksti (ky që është nënshkruar e jo ndonjë tekst tjeter) të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë por vetem me SHBA-të, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujmani, por vetëm fizibiliteti për ujërat.
Jam informuar nga Kryeministri, pasi ia kam prezantuar këto shqetësime, se pala amerikane nuk pajtohet të bëhen ndryshime të marrëveshjes dhe se mbetet ose të nënshkruhet marrëveshja ashtu siç është dakorduar ditën e 3 shtatorit ose të mos nënshkruhet.
Unë jam informuar nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ( në ora 15:19 min) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikan por se edhe une edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-të.
Punët e qeverisë këkojnë besim dhe bashkëpunim. I tillë është edhe dialogu. Kryeministrin dhe qeverinë e kemi zgjedhur dhe i kemi dhënë besimin si partner të koalicionit, prandaj vetëm mbi këtë bazë mund të funksionojë qeveria dhe ta bëjë punën e saj.
Është e padenjë dhe e padrejtë të tentohet të krijohet opinioni se njëri partner në dialog e fali Ujmanin ndërkaq tjetri e shpëtoi. IM