Mustafa: E duam kryeministrin për ta luftuar korrupsionin

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ai dhe partia e tij preferon një front të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, para ose pas zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen më 6 tetor.

“Jam angazhuar, i mbetem besnik idesë dhe përkushtimit që vendi të qeveriset nga partitë e deritanishme opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Në situatën në të cilën gjendemi, këtë e konsideroj zgjidhjen më të mirë”, shkruan Mustafa në Facebook.

“Sikurse LDK, ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje ka specifikat e veta. Ka njerëzit me të cilët llogarit fitoren dhe qeverisjen. Kanë ambientin e brendshëm, që dallon”, thuhet tutje në postimin e kryetarit të LDK-së.

Mustafa tha se janë përafruar qëndrimet me partinë e Albin Kurtit për të dekriminalizuar vendin.

“Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV duhet të jetë Kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV të na caktojë sesi LDK duhet të vendosë për Kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës. Bashkëpunimin e konsideroj proces të respektit reciprok. Kam gëlltitur të kaluarën, sepse e kam vlerësuar më lart interesin e vendit sesa vetëveten. Jemi shprehur pozitivisht për koalicion me VV në interes të forcimit të shtetit dhe dekriminalizimit të vendit”, ka vleruar Isa Mustafa.

Tutje, ish- kryeministri kosovar ka dhënë edhe një përgjigje për atë se pse LDK dëshiron të jetë në krye të Qeverisë së ardhshme.

“LDK, nuk e kërkon Kryeministrin, sepse nënvlerëson z. Albin Kurti dhe meritat e tij. Por se vlerëson znj. Osmani dhe kërkesat e anëtarësisë. Vlerëson kompetencën e LDK-së, ekipin e saj, për qeverisje të mire e pa korrupsion. Kjo është arsyeja e kërkesës tonë për Kryeministër”, ka thënë ai.

Ai ka përsëritur qëndrimin e partisë së janë për një bashkëpunim para ose pas-zgjedhor me Vetëvendosjen.

“Në qoftë se jemi të bindur se edhe njërës edhe tjetrës palë i takon Kryeministri, kjo nuk do të thotë se duhet të hapim frontin ndërmjet veti. Kemi plot gjëra të mira që mund t’ia adresojë njëra palë tjetrës për bashkëpunimin tonë, por kemi edhe të këqia. Kjo nuk është mënyrë që ne të tentojmë të fitojmë vota. Më shumë preferoj të ndërtojmë front të përbashkët, para ose pas-zgjedhor, për t’ua pamundësuar PAN-ave dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimi të shtetit”, thuhet në fund të shkrimit të liderit të LDK-së.