Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje, Fotografi:KALLXO.com

Musliu kërkoi nga IPK sqarime nëse po hetohet letra e Valbona Ndrecajt, e cila u vra nga bashkëshorti

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar sqarime nga Inspektorati Policor të Kosovës në lidhje me hetimin rreth një letre, e cila pretendohet se është lënë nga ish-gruaja e Pjetër Ndrecajt, Valbona Ndrecaj, para se të vritej nga bashkëshorti.

Musliu kërkoi të dijë nëse IPK ka hetuar zyrtarë policorë se kanë mundur të heqin nga dosja letrën e Valbona Ndrecajt.

Musliu tha se në media është raportuar për një letër të cilën pretendohet se e ka lënë Valbona Ndrecaj para se ajo të vritej nga bashkëshorti.

Shefi i Divizionit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit brenda IPK-së, Bardhyl Haxhimustafa, tha se është ngritur kallëzimi penal ndaj tre zyrtarëve policorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Musliu sërish pyeti se cilat kanë qenë veprimet konkrete në këtë rast.

“Trajtimi i rastit ka filluar që nga data kur është paraqitur e ndjera në polici, pra duke fillu nga ana e hetueses së rastit. Në dosjen penale që viktima ka iniciuar ndaj bashkëshortit të saj, nuk ka pasur të bashkëngjitur një letër të tillë. Kallëzimet penale janë bërë për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Pasi që letra nuk ka qenë në dosje ne kemi marrë mundin që të vizitojmë familjarët e viktimës në një republikë tjetër. Letra na është thënë se do të dorëzohet nga familjarët kur të jetë koha e përshtatshme”, shtoi Haxhimustafa.

Haxhimustafa tregoi edhe se si IPK e trajtoi rastin.

“Hetimi ka filluar po atë ditë, sipas detyrës zyrtare. Kemi Divizionin e Inteligjencës në kuadër të IPK. Fillimisht rasti ka filluar të hetohet për neglizhim. Është hetuar fillimisht hetuesja e rastit, përgjegjësit e hetueses, zyrtarët policorë qe kanë qenë në ditën që i dyshuari pretendohet se ka shkuar për t’i marrë fëmijët. Ne në dosje nuk kemi parë ose gjetur një letër të tillë. Nuk do të thotë që me një kallëzim penal rasti mbyllet. Ne nuk kemi arritur që të faktojmë nëse ajo letër është protokolluar apo deponuar një letër e tillë”, vazhdoi Haxhimustafa.

Një emision në Radio Televizionin e Kosovës, i transmetuar kohëve të fundit, ka raportuar për një letër e cila pretendohet se është lënë nga Valbona Ndrecaj para se të vritej së bashku me vajzën e saj nëntëvjeçare nga bashkëshorti Pjetër Ndrecaj.

Gjykata e Gjakovës më 14 shtator dënoi Pjetër Ndrecajn me 24 vjet e gjysmë burg për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e 7 gushtit 2018.