Mungesa e sigurisë në punë, Inspektorati i Punës ndaloi punimet në 20 kantiere ndërtimi për 5 ditë

Mungesa të sinjalizimit, hapësira të rrezikshme të pambuluara, prani e fëmijëve në objektet në ndërtim, kabllo elektrike të hapura në vendpunishte, skele të pasigurta dhe punëtorë të papajisur me mjete adekuate të punës kanë bërë që brenda 5 ditëve të para të shtatorit të ndërpriten punimet në 20 kantiere ndërtimi.

Ndërprerja e punimeve në këto objekte erdhi pas një aksioni të gjerë për vlerësimin e sigurisë së punës në kantieret e ndërtimit.

Aksioni u ndërmor me urdhër të kryeinspektorit të punës, Hekuran Nikçi.

Pamjet e këtij aksioni u shfaqën në emisonin “KALLXO Pernime”.

Qysh në ditën e parë të inspektimit në prani të inspektorëve të punës, punëtorët e ndërtimtarisë po punonin pa masa mbrojtëse dhe në mënyrë të rrezikshme.

Si rezultat i mungesës së sigurisë në vendin e punës, brenda pesë ditëve inspektorët ndërprejtën punimet në 20 raste ndërsa në 29 raste të tjera shqiptuan gjoba.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, nga muaji janar e deri në muajin korrik të këtij viti, si pasojë e mungesës së sigurisë në vendin e punës kanë humbur jetën 11 persona.

Numri i madh i vdekjeve ka bërë që Inspektorati i Punës të vihet në veprim dhe të inspektojë të gjitha kantieret e ndërtimit në regjionin e Prishtinës.

Për 6 muaj vdiqën 11 persona në vendin e punës, Inspektorati i Punës me aksion në sektorin e ndërtimit