Foto: Ministria e Shëndetësisë

MSH e Ambasada Zvicerane nënshkruajnë projektin 5.5 milionësh për shërbime shëndetësore të integruara

5.5 milionë franga zvicerane është vlera e projektit “Shërbime Shëndetësore të Integruara” që u nënshkrua sot mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

“Ky projekt në fokus ka sëmundjet jo ngjitëse dhe ju del në ndihmë posaçërisht grupeve të cenueshme që përgjithësisht kanë status shëndetësor më të dobët, përballen me situata më të vështira ekonomike, janë në rrezik më të shtuar të përjashtimit social në krahasim me popullsinë e përgjithshme” – ka njoftuar MSH përmes një komunikate.

Vitia falënderoi ambasadorin Kolly për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për shëndetësinë në Kosovë. Ai u shpreh jashtëzakonisht i lumtur edhe për fokusin që ka kjo marrëveshje.

Ndërkaq, ambasadori zviceran tha se ky projekt është një tjetër arritje në bashkëpunimin e zgjeruar në sektorin shëndetësor ndërmjet dy vendeve.

“Ambasadori Kolly nënvizoi përkushtimin për të kontribuar në fuqizimin e sistemit që siguron qasje të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore për popullsinë, sidomos për grupet më të cenueshme” – njofton më tej ministria.

Spitalet e Përgjithshme në Gjakovë dhe Pejë janë dy partnerët kryesorë të projektit që angazhohen në aktivitete specifike bashkë me disa nga Qendrat e Mjekësisë Familjare nga komunat e këtyre dy rajoneve.​