Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Mosbesimi i shprehur i presidentes në Prokurori, sinjal jo i mirë

Ende nuk dihet nëse Prokuroria e Shtetit ka nisur ndonjë hetim lidhur me “presionet” dhe “kërcënimet” ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të cilat ajo pretendon se i ka pasur gjatë procesit për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Presidentja Osmani, gjatë një konference për media më 17 tetor, ka njoftuar se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, emrin e të cilit ia ka propozuar Këshilli Prokurorial i Kosovës qysh më 8 prill të vitit 2022.

Për ta arsyetuar veprimin e saj, presidentja e Kosovës ka thënë se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes dhe se ka pasur “presione të paligjshme” dhe “kërcënime” nga njerëz të caktuar.

“Dërgonin mesazhe se në qoftë se nuk e dekreton, nuk e nënshkruan, do të bëjmë dosje, do të ngremë aktakuza, do t’ju lidhim duart, e të tjera”, ka thënë Osmani.

E pyetur nga gazetarët se a ka deponuar denoncim tek organet hetuese, Osmani ka thënë:

“Kjo do të duhej të ishte procedura në rastet kur funksionon një sistem i drejtësisë. Kjo është sikur të thuash: shko dhe deponoje pikërisht tek ata që të kanë kërcënuar”.

Nga Presidenca e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it nëse Prokuroria i është drejtuar tashmë këtij institucioni për procedura të mëtejshme.

Denoncimi i veprës penale në hetuesi, “detyrë kushtetuese e presidentes”

REL-i pyeti edhe Prokurorinë e Shtetit nëse ka nisur ndonjë hetim lidhur me pretendimet e presidentes Osmani për “presione dhe kërcënime” ndaj saj, por zëdhënësi Ekrem Lutfiu tha se “ende nuk ka ndonjë përgjigje” lidhur me këtë çështje.

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se detyrë e Prokurorisë është që të veprojë mbi bazën e kallëzimeve penale individuale dhe kolektive.

Kërcënimi, sipas tij, paraqet vepër penale.

Kryeziu thotë se Prokuroria e ka për detyrë ndjekjen e kryerësve të veprës penale ‘ex officio’, që do të thotë në bazë të detyrës, por edhe në bazë të informacioneve në mjetet e informimit.

Kodi Penal i Kosovës, sipas Kryeziut, obligon ligjërisht çdo qytetar të rëndomtë ose autoritet të shtetit që t’i njoftojë organet e hetuesisë, në rast se ka njohuri për një vepër penale.

“Përgjegjësia është shumë më e madhe tek autoritetet e larta të shtetit. Presidentja e shtetit ka pasur detyrë kushtetuese dhe ligjore që t’i njoftojë organet kompetente, para se ta njoftojë publikun. Përndryshe, ky është veprim dhe koncept i gabuar i udhëheqjes së Presidencës së Republikës së Kosovës”, thotë Kryeziu.

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thekson se deklarata e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me pretendimet se i është bërë presion dhe është kërcënuar, dërgon sinjale tejet negative te qytetarët e vendit.

Sipas tij, ata mund të krijojnë perceptimin se institucionet më të larta të vendit janë adresë e lehtë ku mund të dërgohen kërcënime ose të bëhet presion.

Për më shumë, thotë ai, sinjal të keq dërgon edhe mosparaqitja e rasteve të kërcënimeve në organet e hetuesisë.

“Pra, nëse presidentja kërcënohet dhe shantazhohet dhe nuk i paraqet këto kërcënime apo shantazhe tek institucionet relevante, atëherë si mund të besojnë qytetarët për t’i paraqitur këto raste, nëse kanë të ngjashme”, thotë Demhasaj.

Ai shton se, menjëherë pas deklaratës së presidentes Osmani, përmes së cilës ajo ka pretenduar se i janë bërë kërcënime dhe presion, Prokuroria është dashur ta intervistojë atë.

Sipas tij, presidentja duhet t’ia japë Prokurorisë emrat e personave që i kanë bërë presion ose e kanë kërcënuar.

“Në këtë rast, mendoj se Prokuroria duhet të fillojë dy hetime – hetimet se kush janë kërcënuesit apo shantazhuesit e presidentes, por, në anën tjetër, edhe një [hetim] ndaj presidentes, e cila, thjesht, nuk po i paraqet kryesit potencialë të veprës penale në këtë rast”, thotë Demhasaj.

Më 17 tetor, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në një reagim lidhur me mosdekretimin e të propozuarit për Kryeprokuror të Shtetit nga ana e presidentes Osmani, komentoi edhe pretendimet e saj për presione e kërcënime.

KPK-ja e ftoi Osmanin që “nëse ka prova dhe dëshmi, t’i dërgojë ato tek organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht”.

Prokuroria e Shtetit, deri më tash, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse po e trajton edhe çështjen e mosdenoncimit të presioneve dhe kërcënimeve të pretenduara nga presidentja Osmani.

Në të kaluarën, sistemi i drejtësisë në Kosovë është kritikuar shpesh, qoftë për korrupsion, qoftë për ekspozimin ndaj ndërhyrjeve politike./REL