Mori 50 euro ta lejojë pasagjerin të tejkalojë kilogramët e lejuar të bagazhit, arrestohet punëtori i Aeroportit

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person në Aeroportin e Prishtinës, si shërbyes i udhëtareve, ka pranuar para në këmbim për ta lejuar një pasagjer që të vazhdojë tutje pa përfillur procedurat e tjera për pagesë për kilogramët e tepërt në bagazh.

Ngjarja, sipas njoftimit të Policisë, ka ndodhur dje.

I dyshuari kishte pranuar 50 euro nga ankuesi i cili kishte tejkaluar kilogramët e lejuar në bagazhin e tij (rreth pesë kg më tepër).

Prokurori kujdestar ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të hapet procedurë penale dhe i dyshuari dërgohet në mbajtje, përderisa rasti dorëzohet në Njësinë e Krimeve Ekonomike të PK-së për veprime të mëtejme.