Momenti kur kompanisë së autobusëve iu gjetën 50 udhëtarë pa kuponë fiskal

Sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, u shfaqën pamjet e kontrollit tatimor në mbi dyzet biznese të autobusëve.

Bizneset që bartin udhëtarë ishin cak i kontrollit nga inspektoreët tatimor pas raportimeve të shumta të qytetarëve se nuk po ju lëshoheshin kuponë fiskal.

Në bazë të një plani operativ të hartuar nga menaxhmenti i Administratës Tatimore të Kosovës, në të gjitha hyrjet e Prishtinës u caktuan inspektorë për kontrolle.

Qëllimi ishte verifikimi i lëshimit të kuponëve fiskal.

Me të filluar kontrollet u hasën parregullsitë e para, një biznesi iu gjenden mbi 50 udhëtarë pa kuponë fiskal si dhe u konstatua se biznesi nuk ishte i pajisur fare me arkë fiskale.

Si rezultat i këtyre kontrolleve në 27 kompani u gjobitën ndërsa buxhetit të shtetit iu shtuan mbi 48 mijë euro nga gjobat e shqiptuara.

Njëzet nga këto biznese u hasën duke mos lëshuar kuponë fiskal ndërsa në shtatë kompani u konstatua se nuk ishin fare të pajisura me arkë fiskale.

Ky kontroll ishte zhvilluar pasi dhjetëra qytetarë kishin raportuar në KALLXO.com dhe në ATK se nuk po pajiseshin me kuponë fiskalë nga disa kompani të autobusëve.

Gjatë kontrollit ishin konstatuar qindra udhëtarë që nuk ishin të pajisur me kupon fiskal dhe punëtorë të padeklaruar.

 

Nga fillimi i vitit 2020 e deri në muajin prill, Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar mbi 90 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com.