Foto: Natalia Gavrilita/Facebook

Moldavia shpall gjendje të jashtëzakonshme

Parlamenti i Moldavisë ka miratuar të premten gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë, për shkak të sulmit rus në shtetin fqinj, Ukrainë.

Në mesin e gjërave tjera, gjendja e jashtëzakonshme ndalon protestat masive dhe i mundëson Qeverisë të dëbojë “personat e padëshiruar” nga shteti.

Kryeministrja moldave, Natalia Gavrilita, ka thënë që më shumë se 4,200 refugjatë nga Ukraina tashmë kanë hyrë në këtë shtet.

Disa prej tyre kanë vazhduar rrugën drejt Bashkimit Evropian, mirëpo të paktën 100 kanë aplikuar për azil në Moldavi.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë raportuar se autoritetet moldave kanë krijuar qendra për t’iu ndihmuar ukrainasve në dy pikat kufitare, Ocnita dhe Palanca.

Dhjetëra makina janë parë në rend mes Ukrainës dhe Moldavisë.

Kufiri mes këtyre dy shteteve është 1,222 kilometra i gjatë./REL