Foto: Komuna e Mitrovicës

Mitrovicë, vihet gurthemeli për ndërtimin e 51 shtëpive për familjet në nevojë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe humanisti Halil Kastrati nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit” kanë vënë gurthemelin e ndërtimit të 51 shtëpive për familjet në nevojë në fshatin Frashër të Mitrovicës.

Bahtiri ka falënderuar humanistin Halil Kastratin por edhe donatorët e tjerë, për mbështetjen e madhe që kanë bërë për Mitrovicën dhe qytetarët e saj.

Ky projekt realizohet në mes të Komunës së Mitrovicës, Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe “Djemtë e Mitrovicës”, me ç’rast Komuna e Mitrovicës do të marrë pjesë me mjete financiare në shumë totale prej 200,000 mijë euro, si dhe ka siguruar pronën komunale për ndërtimin e të gjitha shtëpive për familjet në nevojë.

Shoqata “Jetimat e Ballkanit” do të ndërtojë 40 shtëpi, “Djemtë e Mitrovicës” me bizneset e tyre 10 shtëpi të tjera, si dhe Komuna e Mitrovicës do të ndërtojë një shtëpi, ndërsa vlera e investimit është mbi 1 milion euro dhe punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti.

Bahtiri për humanistin Halili Kastrati ka thënë  se “Kosova ka nevojë për njerëz të tillë si hoxhë Kastrati, derisa bëri thirrje tek të gjithë pa dallim, që ta mbështesin atë në punën e tij të bamirësisë për familjet në nevojë “.

Ndërsa Humanisti nga shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, u shpreh i lumtur që po realizon memorandumin e nënshkruar para disa muajsh për qytetarët e Mitrovicës.