Mitrovicasi 88 vjeçar me mision për rregullimin e rrugëve të qytetit

Bahtijar Bahtiri, plaku 88 vjeçar nga Mitrovica, i cili rregullon rrugët dhe gjithçka që sheh keq në infrastrukturën rrugore në qytet dhe më gjerë, ka një histori të veçantë vuajtje dhe qëndrese.

Ai është një nga rastet e rralla që përkundër vuajtjeve dhe rrethanave në të cilat jeton, asnjëherë nuk është lodhur së dashuri qytetin  e vet.

Duke rrëfyer për veten, nganjëherë i dridhet buza këtij burri të fortë, që nuk e kishin thyer as vitet e gjata të skamjes që kishte përjetuar.

Ai tregon se nuk përton të punoj për qytetin dhe qytetarët e Mitrovicës, kudo që vështirësohet lëvizja e tyre.

 

 

I lindur në fshatin Banjsk, Bahtijari kishte mbetur pa baba që në moshën 12 vjeçare.

Ndërsa për të mbajtur familjen kishte punuar siç ka rrëfyer ai në Zveçan që në moshë të re.

“ Në Zveçan kam hi i ri me punu 15 a 16 vjeç menzi me kanë marr se i ri, mi dhanë 100 copa dhenë më i rujt, atëherë ka qenë rusi shef, është dashur me i rujt nëse ka humbe ndonjë u duke me pagu “, rrëfen Bahtijari.

‘Baca Bahtijar’, siç e njohin pothuajse të gjithë në Mitrovicë, me pensionin e tij mban edhe vajzën e tij të papunë që jeton bashkë me të.

Duke treguar arsyen për punën që bën, ai flet edhe për sfidat dhe vështirësitë gjatë saj, por edhe dëshirën e madhe të njerëzve të cilët duan ta shpërblejnë.

Megjithatë, ai insiston se rrugët të cilat i rregullon e bën pa pritur asnjë shpërblim nga askush.

“ Rrugët po i rregulloj për hatër të Zotin, ku po shoh keq, po kom ende mundësi me ecë, nervat nuk me lënë me ndejt sepse mërzitem, po kom qef me i ndreq rrugët ku po shoh që jon shemb rrugë e ura po shoh që njerëzit po hekun…”, thotë ai.

Bahtijari duke rrëfyer për KALLXO.com ka thënë se ndonjëherë lodhet, por  punën mundohet ta kryej duke pushuar kohë pas kohe.

“ Po lodhem nganjëherë, kur po i ndreqi, po kadal dale qetu po punoj, po pushoj po punoj ”, rrëfen plaku.

‘Baca Bahtijar’ ka treguar një rast derisa kishte qenë duke rregulluar një rrugë afër lumit Sitnica, një polic nga mirësia i kishte ofruar diçka për pagesë, ndërsa ky i kishte treguar se rrugën e rregullonte nga dëshira, por pas insistimit nga polici në fund kishte pranuar që të marr vetëm një lëng.

Plaku me ‘zemër të madhe’, një emër tjetër me të cilin e quajnë disa njerëz këtu, rrëfen në detaje për mënyrën si punon, kohën, pajisjet e punës dhe gjithçka tjetër, derisa potencon se aktivitetin e vet e shtrin edhe jashtë qytetit të tij.

“ Rrugës e mar kacinë – mas veti, her ternakopin, kolicën, shumë vende me kolic i barti gurët afër rrugës që jonë, i qoj aty i gryj i shti e i paloj “ thotë ai.

Megjithatë, shtoi ai, ka njerëz të cilët nganjëherë shprehin ironi për punën që bën duke i thënë “ A nuk po ke tjetër punë “.

“U kam thënë duhet edhe na me u interesu jo veç komuna s’mundet me mbrri s’mundet në tona anët..”, arsyetohet ai.

Këtë aktivitet 88 vjeçari ka treguar se e bën që tre apo katër vjet, ndërsa përveç në Mitrovicë thotë se ka rregulluar rrugë edhe në Skenderaj, Koshtovë.

Puna e tij kishte parandaluar rrezikun e mëtejmë edhe nga një pusetë e hapur ku paraprakisht një qytetar i Mitrovicës kishte thyer brinjtë.

Rrugë kishte rregulluar edhe afër tunelit në Mitrovicë.  Bahtijari shpjegon se mbajtësen e drurit e kishte rregulluar vetë në mënyrë që njerëzit të cilët kaloni andej të mos rrezoheshin dhe të kishin mundësi të mbahen.

Kurse shkallët përmbi Tunel në të cilat dukej sikur ishin lënë në gjysmë, “ Baca “ Bahtijar i kishte vazhduar deri në fund, duke ju shtruar gurë.

“Çka e di unë këto shkallë i ka maru shteti a prej këtu e poshtë unë i kam bajt rrasat, ktu s’kanë mujt me kalu u rrëzojshin, i kam marr prej atje kanal dale i kam bajt e i kam shtru krejt rendë…“ , sqaroi Bahtiri.

Në anën tjetër, qytetarët të cilët e njohin plakun ‘me zemër të madhe’, lavdërojnë punën e tij, duke e quajtur shembull të mirë për të gjithë.

Agnesa Prekazi, qytetare e Mitrovicës, tha se puna e tij duhet të shërbejë për nxitjen e institucioneve që të merren më seriozisht me këtë çështje.

“Baci Bahtijar është shembulli më i mirë për nxitjen e të tjerëve, sidomos institucioneve, që të merren më seriozisht me këtë segment të shoqërisë, sepse fundja, të gjithë duam një qytet të bukur, të rregulluar e të pastër, e cila natyrisht  kërkon punë”, ka thënë Prekazi.

Edhe Enes Gashi, e quan  inkurajuese punën e 88 vjeçarit, për të cilën thotë se duhet të shërbejë edhe për njerëzit e moshave më të reja.

“Po, e njoh Bacin Bahtijar. E shoh gati për çdo ditë nëpër rrugë duke punuar. Mendoj se bën një punë të shkëlqyeshme për të mirën e të gjithëve. Është vërtetë inkurajuese puna e tij, të cilën duhet ndjekur edhe të rinjtë”, theksoi Gashi.