Miratohet nga BQK zgjedhja e kryeshefit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve për zgjedhjen e Sami Mazrekut, kryeshef ekzekutiv të këtij institucioni.

Mazreku ishte votuar unanimisht nga Asambleja e Përgjithshme në mbledhjen e mbajtur më 23 shkurt.

“Pas shqyrtimit të kërkesës suaj të datës 02 mars 2021, të kompletuar me datë 05 mars 2021, ju njoftojmë se bazuar në nenet 24, 32 dhe 33 të Ligjit Nr.05/L-045 për Sigurimet, nenet 7 dhe 8 të Rregullores për licencim e sigurueseve dhe degëve të sigurueseve të jashtëm dhe nenin 14 të Rregullores për standardet e raportimit dhe mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), miraton emërimin e z. Sami Mazreku, kryeshef ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BSK)”, thuhet në miratimin e BQK-së drejtuar kryesuesit të Asamblesë, Agim Elshanit.

Sipas Statutit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, zgjedhja e drejtorit ekzekutiv të BKS-së bëhet me miratimin përfundimtar të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sami Mazreku në tetor të vitit 2020 ishte zgjedhur Ushtrues Detyre i drejtorit ekzekutiv të Byrosë.

Mandati i drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimeve është katër vjet me të drejtë riemërimi edhe për një mandat.