BQK i heq licencën kompanisë së sigurimeve “INSIG”

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka marrë vendim për revokimin e licencës së kësaj kompanie, përkundër mbështetjes së BQK-së që t’i sanoj vështirësitë financiare, kompania nuk arrit t’i përmbushë kërkesat.

BQK ka njoftuar se kompania e Sigurimit “Insig” SH.A., dega në Kosovë, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës.

“BQK tregon se i ka ofruar mbështetje kompanisë për sanimin e krizës financiare “Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përkatësisht Bordi Ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për të sanuar gjendjen financiare të Kompanisë së Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë.“, thuhet në njoftim.

Megjithatë sipas tyre, aksionari i kompanisë së sigurimit “Insig” nuk iu ka përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi.

Tutje është theksuar se ‘BQK sipas ligjit ia ka revokuar licencën kompanisë’.

“Me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga Ligji për BQK-në dhe Ligji për Sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës së Kompanisë.”, bën të ditur BQK.

BQK gjithashtu ka bërë të ditur se tashmë ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm dhe do të sigurojë trajtim të drejtë dhe të barabartë, ndaj të gjithë kreditorëve.

Si dhe me emërimin e likuidatorit, BQK thekson se ‘pushojnë të gjitha përgjegjësitë e Administratorit, të Bordi Drejtues dhe Menaxhmentit të Kompanisë në raport me menaxhimin e Kompanisë’.

“Likuidatori do të raportojë në baza mujore në BQK lidhur me mbarëvajtjen e përmbushjes së detyrimeve ndaj kreditorëve. Në të njëjtën kohë likuidatori gjithashtu do të njoftojë më detajisht të gjithë kreditorët dhe palët e tjera me interes lidhur me mënyrën e komunikimit dhe do të siguroj kontakte të telefonit, emailit dhe lokacionin për paraqitjen e të gjitha kërkesave të policëmbajtësve dhe kreditorëve të tjerë. “, sqaron BQK.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës tutje ka udhëzuar të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorët e tjerë që të përcjellin njoftimet në ditët në vijim nga Likuidatori dhe BQK-ja lidhur me udhëzimet mbi procesimin e kërkesave që kanë në raport me Kompaninë e Sigurimit në Likuidim “Insig”.

Gjithashtu BQK thotë se nuk do të ndikojë tek kompanitë tjera, revokimi i licencës së kësaj kompanie.

“Revokimi i licencës së Kompanisë së Sigurimit “Insig” nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit të sigurimeve në Kosovë. Sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend. “ njofton komunikata.

Në fund të njoftimit thuhet se vendimin që Kompanisë së Sigurimit “Insig”, t’i revokohet Licenca nr. 003 e datës 25 mars 2002, e lëshuar nga Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës (BPK), paraardhëse ligjore e BQK-së, u mor në takimin e mbajtur më datë 26 prill 2019, nga Bordi Ekzekutiv i BQK-së bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.