Ministrja Hajdari: Kemi kërkuar nga CEFTA që të trajtohemi si shtet

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se ka dërguar një letër në adresë të institucionit për Marrëveshje të Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) për të kërkuar që Kosova të përfaqësohet si shtet e jo nga UNMIK.

Ajo tha se Kosova nuk është trajtuar si e barabartë nga CEFTA.

“Që nga marrja e mandatit, unë kam gjetur Kosovën në një trajtim jo të barabartë në aspektin bilateral por edhe në aspektin multilateral sa i përket përkrahjes, për shembull, në rastin CEFTA, ku Kosova duhet të jetë një partner i barabartë vetëm atëherë si partner i barabartë që të përfitoj, Kosova nuk ka përfituar sa duhet nga CEFTA, qoftë nga aspekti rajonal por edhe në aspektin bilateral që kemi identifikuar shumë barriera”, tha ajo.

“Kosova duhet të ruaj një rol konstruktiv në dialogun e përgjithshëm rajonal, evropian e botëror. Ne kemi iniciuar se ku Kosova mund të jetë më mirë e përfaqësuar dhe si Kosova duhet të merr meritat e saj dhe t’i adresoj pengesat me Serbinë, edhe pse janë të shumta”, deklaroi ajo gjatë një diskutimi mbi barrierat ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Hajdari tha se së fundmi kanë dërguar një letër në CEFTA që Kosova të trajtohet barabartë. Ndërsa theksoi se nuk është duke u përfaqësuar Kosova ashtu siç duhet në këtë institucion ekonomik.

“Si shtet i pavarur që nga viti 2008, Kosova ende prezantohet nga UNMIK-u. Kjo ishte një befasi për mua si ministre, pse Kosova nuk ka dërguar një letër në sekretariatin e CEFTA-s që të kërkoj përfaqësimin sipas marrëveshjes së Brukselit, që gjithmonë thirret në bashkëpunimin rajonal”, tha Rozeta Hajdari.

“Ne kemi dërguar një letër në sekretariatin e CEFTA-s për të kërkuar që të përfaqësohemi si shtet dhe jemi në pritje të mbledhjes së komitetit të kësaj organizate për të trajtuar atë. Letrën e kemi dërguar 24 shtator 2021”, deklaroi ajo.